LAJMI I FUNDIT:

Brandt: Kosova e Re do të ketë ndikim pozitiv në mjedis

Brandt: Kosova e Re do të ketë ndikim pozitiv në mjedis

“Ju jetoni këtu dhe jeni të vetëdijshëm për ndikimin e Kosovës A. Ditën kur projekti fillon, ajo mbyllet. Do të ketë përmirësim të ajrit dhe të mjedisit në përgjithësi”, kështu tha Joseph Brandt, kryeshef ekzekutiv në Contour Global, në studion e Zonës së Debatit në Klan Kosova.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë me kompaninë amerikane ContourGlobal për ndërtimin e termocentralit të ri Kosova e Re.


Kosova konsiderohet ndër vendet më të pasura me linjit në Evropë. Përkundër dhe pas shume viteve përpjekjesh, vendi nuk ka arritur të zhvillojë kapacitete të mjaftueshme të prodhimit të energjisë elektrike.

Kohë më parë, presidenti i Bankës Botërore kishte deklaruar se kjo bankë nuk do të përkrahë zhvillimin e projektit të Kosovës së Re, përkundër që e njëjta kishte ndihmuar procesin gjatë dekadës së fundit.

“Në publik ekziston një keqkuptim në lidhje me këtë financim. Ne kurrë nuk e kemi vlerësuar atë si opsion për financimin e projektit.’, theksoi teksa po komentonte përkrahjen nga Banka Botërore. ‘Po të mos ishte e angazhuar Banka Botërore projekti do të shkonte shumë më shpejt”, shtoi ai.
Problemi i furnizimit me energji elektrike listohet si një ndër problemet kryesore të bërit biznes në Kosovë edhe nga vetë bizneset, sipas Berat Rukiqit, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës.

“Projekti ka arsyeshmëri të madhe të nxitjes së aftësisë konkurruese të ekonomisë së vendit”, shtoi ai.

Së fundmi, dyshime janë rritur nëse çmimi prej 80 eurosh për megavat orë është çmimi i targetuar i blerjes apo përcakton çmimin tavan. Brandt theksoi se bëhet fjalë për çmim tavan, ani pse ai vetë beson se çmimi do të jetë dukshëm më i ulët.

“80 euro është kulmi, sepse kështu ka qenë e strukturuar që në fillim. Kur kemi filluar diskutimin e këtij çmimi jemi pajtuar se duhet ta kemi një tavan, por që atë mund ta shtyjmë më poshtë gjatë procesit’, iu përgjigj ai pyetjeve.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës nënshkroi marrëveshjen e shumëpritur me kompaninë amerikane ‘Contour Global’ për ndërtimin e Termocentralit të ri “Kosova e Re”. Marrëveshja parashikon një investim prej 1.3 miliard eurosh për ngritjen e termocentralit të ri, me kapacitet prej 500 megavatesh.
Kosova e Re do të zëvendësojë njësitë prodhuese të vjetërsuara të termocentralit Kosova A, duke ndikuar në zvogëlimin e ndotjes deri në 93%, thuhej në njoftimin zyrtar të Contour Global. ‘Emetimet e pluhurit do të zvogëlohen për 93% deri sa ato të SOx dhe NOx për 84% dhe respektivisht 93%, me zvogëlimin e lirimit të dioksidit të karbonit për rreth 37%’. /Telegrafi/