Braçe: Ja si po manipulohet vota në Berat

Ai shprehet se Lëvizja Socialiste për Integrimi ka porositur të gjitha punonjësit e administratës që të japin 40 emra që do të votojnë për këtë forcë më 23 qershor.
“Kjo është një letër që i jepet çdo të punësuari në drejtoritë e shërbimeve publike që menaxhon LSI-ja, në bazë të marrëveshjes për ndarjen e pushtetit me përqindje me Sali Berishën!!”, shkruan Braçe në Facebook.
“Çdo të punësuari, për të mbajtur vendin e punës në këto shërbime që paguhen me taksat tona, i jepet ky formular ku ai duhet të plotësojë deri në detaje me 40 emra-familjarë, të afërm, rreth farefisnor, miq të ngushtë, që votojnë LSI-në më 23 Qershor!!”, shton ai.
Deputeti i PS-së nënvizon se kjo është si detyrim për mbajtjen e vendit të punës ndërsa më parë ata janë pajisur gjithashtu me detyrim me teserat e LSI-së.
Braçe kërcënon drejtorët e emëruar nga LSI në Berat dhe Kuçovë se jo vetëm do të hiqen nga puna për këtë veprim por edhe do të kallëzohen për t’u ndjekur penalisht. /Telegrafi/





















































