BQK lanson Javën e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) në kuadër të aktiviteteve të edukimit financiar, në bashkëpunim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar (FKAK) dhe Shoqatën e Bankave të Kosovës si dhe me përkrahje të Fondit Evropian për Evropën Juglindore (EFSE), ka nisur fushatën “Ekonomia për të gjithë”, e cila shënon Javën e Vetëdijesimit për Qasje në Financa për personat me aftësi të kufizuara.

Qëllimi i kësaj fushate është të promovojë përfshirjen financiare dhe barazinë e qasjes, si dhe të nxisë iniciativat e bashkëpunimit ndërmjet sektorit financiar dhe organizatave përfaqësuese të personave me aftësi të kufizuara, për të ndërtuar një sistem financiar më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë qytetarët.

Në ceremoninë e lansimit, Zëvendësguvernatorja e BQK-së, znj. Nesrin Shileku-Shala, theksoi se përfshirja financiare është një nga prioritetet strategjike të BQK-së për periudhën 2024–2028, me fokus në mbrojtjen e konsumatorit, edukimin financiar dhe qasjen e barabartë në shërbime.
Znj. Shileku – Shala në fjalën e saj tregoi se BQK ka ndërmarrë një sërë nismash konkrete për ta bërë sistemin financiar më gjithëpërfshirës, ndër to funksionalizimin e Llogarisë me Shërbime Bazike, e cila u mundëson qytetarëve të hapin llogari bankare pa pagesë ose me tarifë simbolike, në përputhje me Direktivën e BE-së 2014/92/BE. Kjo llogari ofrohet falas për konsumatorët e cenueshëm, përfshirë personat me aftësi të kufizuara.

Në të njëjtën linjë me përmirësimin e qasjes, BQK po i kushton rëndësi të veçantë edhe edukimit financiar si mjet për fuqizimin e qytetarëve. Përmes platformës së saj të edukimit financiar, BQK ka krijuar një Kënd të Edukimit në Gjuhën e Shenjave, ku janë publikuar materiale edukative të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara. Qëllimi është që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të barabarta për të kuptuar dhe menaxhuar në mënyrë të informuar financat e tyre personale.

Në këtë drejtim, ekziston hapësirë për zhvillim të mëtejshëm, në përshtatjen e materialeve informative, krijimin e udhëzimeve audio-vizuale, përputhjen e plotë të shërbimeve digjitale me standardet ndërkombëtare të qasjes dhe forcimin e kapaciteteve të stafit për komunikim gjithëpërfshirës. Këto përpjekje përfaqësojnë mundësi për përmirësim të përbashkët, në ndërtimin e një sistemi financiar që i shërben çdo qytetari, pa përjashtim.

Megjithëse është bërë progres i dukshëm, BQK vlerëson se, mbeten mundësi për zhvillim të mëtejshëm, veçanërisht në përshtatjen e materialeve edukative, përmirësimin e qasjes digjitale dhe trajnimin e stafit për komunikim gjithëpërfshirës.

Përmes rregulloreve të reja për Zhvillimin, Shpërndarjen dhe Reklamimin e Produkteve dhe Shërbimeve Bankare, si dhe për Informimin dhe Transparencën në Sigurime, BQK po integron mbrojtjen e konsumatorëve të cenueshëm në mbikëqyrjen e sjelljes së tregut, duke garantuar qasjen e barabartë, informimin e qartë dhe shmangien e çdo forme diskriminimi.
Në përmbyllje, BQK riafirmoi përkushtimin e saj për harmonizimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse me standardet e Bashkimit Evropian, duke e parë gjithëpërfshirjen financiare të personave me aftësi të kufizuara si themel të drejtësisë ekonomike dhe zhvillimit të qëndrueshëm.



















































