Vendet në Lindjen e Mesme, Evropë dhe në mbarë botën shprehin frikën për një përfshirje rajonale pas sulmeve të shumëpritura të Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit.

Bashkimi Evropian paralajmëron se situata në rajon është “e rrezikshme” dhe bën thirrje për mbrojtjen e civilëve në çdo konflikt.


Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në X, u bën thirrje “të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje,” duke theksuar se është “kritike” të “sigurohet siguria bërthamore,” pasi SHBA-ja ka treguar se objektiva të saj janë objektet bërthamore iraniane.

Diplomatja më e lartë e BE-së, Kaja Kallas, njofton tërheqjen e personelit jo-thelbësor të bllokut nga rajoni.

Qeveria britanike frikësohet se sulmet mund të shndërrohen në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, dhe i bën thirrje qytetarëve të saj në Bahrejn, Kuvajt, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të gjejnë strehim.

“Nuk duam të shohim një eskalim të mëtejshëm në një konflikt rajonal më të gjerë”, thotë një zëdhënës i qeverisë britanike, duke shtuar se “prioriteti i menjëhershëm” i Britanisë është siguria e qytetarëve të saj në rajon, shkruan timesofisrael.

Forcat e armatosura të Jordanisë thonë se aviacioni i tyre është në veprim për të mbrojtur mbretërinë dhe popullin e saj gjatë sulmeve. Një zyrtar ushtarak thotë se dy raketa balistike që synonin territorin e mbretërisë “u kapen me sukses nga sistemet e mbrojtjes ajrore jordaneze”.

Ukraina argumenton se “dhuna e qeverisë iraniane ndaj popullit të vet dhe vendeve të tjera” ka shkaktuar sulmet e SHBA-së dhe Izraelit.

“Arsyeja për ngjarjet aktuale është pikërisht dhuna dhe arbitrariteti i regjimit iranian, veçanërisht vrasjet dhe represionet ndaj protestuesve paqësorë, të cilat kanë marrë përmasa veçanërisht të mëdha muajt e fundit”, thuhet në një deklaratë të ministrisë së Jashtme.

Ka reaguar edhe Franca që ka disa baza ushtarake në Lindjen e Mesme, veçanërisht në Katar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jordan.

“Natyrisht prioriteti ynë në këto raste është mbrojtja e qytetarëve tanë, mbrojtja e forcave tona në rajon dhe monitorimi i situatës në kohë reale, gjë që po bëjmë”, tha Alice Rufo, zv.ministre e Mbrojtjes, për televizionin France 2.

Bashkimi Afrikan bën thirrje “për vetëpërmbajtje, deeskalim urgjent dhe dialog të qëndrueshëm” pas sulmeve, duke paralajmëruar se konflikti mund të rrezikojë jetën e njerëzve në kontinent.

“Eskalimi i mëtejshëm rrezikon të përkeqësojë paqëndrueshmërinë globale, me pasoja serioze për tregjet e energjisë, sigurinë ushqimore dhe qëndrueshmërinë ekonomike - veçanërisht në Afrikë, ku konfliktet dhe presionet ekonomike mbeten të forta”, thotë kreu i këtij institucioni panafrikan, Mahamoud Ali Youssouf. /Telegrafi/