Bota ka nevojë për fshatarët

Fshatarët nuk janë aspak një relike të së kaluarës, por janë thelbësorë për ushqimin në botë. Ata duhet të mbështeten, jo të margjinalizohen.
Nga: Maryam Aslany, përfituese e bursës Marie Kiri në Universitetin Ka-Foskari të Venecias dhe në Universitetin Jejl, si dhe bashkëpunëtore kërkimore në Universitetin e Oksfordit. Është autore e librit Kapitali i kontestuar [Contested Capital, 2020]. Libri i saj i ardhshëm Fshatarët [Peasants, 2026] përshkruan krizën e fshatit në aspekt global
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com
Në vitin 2007, Kombet e Bashkuara publikuan një raport mbi Gjendjen e Popullsisë Botërore, ku theksohej se jeta e njeriut në Tokë po kalonte në mënyrë të heshtur në një kthesë historike. Në vitin 2008, binte përqindja e njerëzve që jetonin në zonat rurale - për herë të parë në histori - nën 50 për qind. Sot, vetëm 42 për qind e njerëzve jetojnë në fshat.
Për shumë banorë të qyteteve, urbanizimi i llojit tonë duket i natyrshëm dhe i pashmangshëm. Duke nxjerrë përfundime nga tendencat e së kaluarës, ata paramendojnë një të ardhme në të cilën shumica dërrmuese ka braktisur tokën, duke e lënë atë idilike, të automatizuar dhe të zbrazët. Gjatë këtij procesi, ata parashikojnë - me një farë lehtësimi! - zhdukjen e afërt të një figure të lashtë: fshatarit.
Kjo fjalë shmanget në biseda të sjellshme; në shumë gjuhë përdoret si term përçmues apo ofendues. Sepse, vetë fshatarët shihen si mbetje e turpshme, si antiteza e “progresit”. Qoftë të djathtë apo të majtë, mendimtarët perëndimorë kanë mësuar se për t’u bërë modern shoqëritë duhet të heqin qafesh fshatarët. Përderisa Adam Smith priste që fshatarët t’ua lëshonin vendin pronarëve të tokave (sepse atëherë “toka ... do të përmirësohej shumë më mirë”), Karl Marx parashikonte zëvendësimin e tyre me menaxhim modern socialist. Është marrë si e mirëqenë se bujqësia do të monopolizohet përfundimisht nga kapitali i madh dhe makineritë, dhe se qytetet do të tërheqin shumicën e popullatës njerëzore.
Edhe në Evropën e industrializuar, procesi nuk ishte bash kështu. Po, në masë të madhe, mes shekujve XVIII dhe XX, u shkatërrua fshati tradicional - por, eksodi që pasoi ishte shumë më i madh sesa mund të përballonin fabrikat urbane. Gjashtëdhjetë milionë evropianë u detyruan të emigronin në Botën e Re. Por, në çdo rast, Evropa ka rol unik në historinë kapitaliste dhe është gabim të nxirren përfundime të përgjithshme nga kjo. Rajonet e tjera ndoqën rrugë të ndryshme.
Në pjesë të mëdha të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë, urbanizimi po ngadalësohet. Shumica e atyre që do të hynin në fabrika, tashmë e kanë bërë këtë. Ndërkohë, ata që e vlerësojnë sigurinë e jetës në fshat, nuk kanë shumë oreks për lagjet e varfra të qyteteve, izolimin dhe konkurrencën ekstreme. Prandaj, ndërsa njerëzimi urbanizohej me një ritëm prej 1.06 për qind në vit mes viteve 1950-‘70, ky ritëm ka rënë sot në 0.74 për qind dhe pritet të bie në pak më shumë se 0.6 për qind deri në vitin 2030. Meqenëse popullsia botërore është trefishuar që nga viti 1950, numri absolut i banorëve të fshatit mbetet më i madh se kurrë më parë. Sipas përllogaritjeve të mia, deri në dy miliardë njerëz jetojnë në zonat rurale të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë, ku mbizotërojnë fermat e vogla familjare. Me pak fjalë, pas 300 vjetësh “modernizim”, fshatarët ende përbëjnë deri në një të katërtën e njerëzimit, duke tejkaluar ndjeshëm numrin e punëtorëve në linjat e montimit, minatorëve, punonjësve të zyrave apo shoferëve të taksive.
Fshatarët përcaktohen nga fermat familjare, zakonisht 10 hektarë ose më pak, prodhimi i të cilave është i optimizuar si për mjet jetese ashtu edhe për të ardhura monetare. Puna kryhet kryesisht nga familja (pa pagesë). Shumë më tepër sesa fermerët në vendet e pasura - shumë prej të cilëve janë në thelb punonjës shteti - fshatarët janë të ekspozuar plotësisht ndaj luhatjeve të klimës dhe tregjeve; mirëqenia e tyre mund të ndryshojë ndjeshëm nga një vit në tjetrin.
Fshatarët janë plotësisht të integruar me ekonominë e shekullit XXI, e cila nuk do të mund të funksiononte pa prodhimin e tyre të sheqerit, pambukut, kakaos dhe mallrave të tjera thelbësore. Megjithëse ata kontrollojnë më pak se një të katërtën e tokës bujqësore të botës, bujqësia fshatare është shumë efikase dhe vlerësimet sugjerojnë se 70 për qind e popullsisë së botës varet prej tyre për disa ose të gjitha ushqimet. Në shumë sektorë thelbësorë, prodhimi fshatar është gjithashtu më i favorshëm për industrinë dhe më i përshtatshëm për kushtet shoqërore. Bujqësia fshatare është gjithashtu më e mirë se alternativat industriale në menaxhimin e shëndetit të tokës, burimeve ujore dhe biodiversitetit, prandaj shihet gjerësisht si mburojë kundër ndryshimeve klimatike. Me pak fjalë, pa fshatarët ekonomia globale nuk do të mund të funksiononte dhe sistemet tona natyrore do të shembeshin.
Jeta ende varet nga fshatarësia. Prandaj, të gjithë ne prekemi nga fakti që fshatarësia sot ndodhet në një krizë akute. Një krizë që rrallë merr vëmendjen e duhur në diskutimet publike.
Rrallëherë fshati arrin të bëhet lajm në faqet e para të gazetave. Në shtator të vitit 2020 shpërthyen protestat masive të fermerëve në Indi - pas miratimit të një ligji të ri që u jepte korporatave një rol më të madh në tregjet bujqësore. Fermerët në disa shtete - veçanërisht Penxhab dhe Harajanë, ku shumë njerëz mbështeteshin te shteti për blerjen e grurit dhe orizit - organizuan demonstrata dhe bllokuan autostradat drejt Nju-Delhit. Delhi është qendër globale mediatike; natyrisht që pati mbulim të gjerë.
Por, mbulimi i tillë është i rrallë; megjithatë, pakënaqësia e fermerëve është endemike. Në nëntor dhe dhjetor të vitit 2020 - ndërsa rrugët drejt Delhit ishin bllokuar nga traktorët - ushtarët në Peru qëllonin mbi fermerët që protestonin kundër një ligji që i çlironte agrobizneset nga detyrimet ndaj punëtorëve. Në Uzbekistan, po në vitin 2020, fermerët protestuan kundër sistemit të klasterit sipas të cilit toka i jepej me forcë klasterëve korporativë - që zakonisht menaxhoheshin nga individë të afërt me elitën politike. Gjatë pesë vjetëve të fundit, protestat serioze të fermerëve kanë ndodhur në Argjentinë, Brazil, Kolumbi, Ekuador, Ganë, Kenia, Indonezi, Nepal, Iran, Pakistan, Filipine, Ugandë - dhe lista vazhdon.
Pas protestave fshihet një valë edhe më e madhe e pakënaqësisë së padukshme. Gjatë udhëtimeve të mia në fshatrat e Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, kam hasur kudo zemërimin e fermerëve të përballur me sulmet ndaj tokës së tyre dhe me politikat e dizajnuara për t’ia lejuar agrobizneseve dhe përpunuesve industrialë të merrnin gjithnjë e më shumë nga të ardhurat e tyre. “Nuk ka asnjë kuptim që qeveria t’u ofrojë fermerëve ndihmë kundër varfërisë”, më tha një organizator fermerësh në Indi, “kur politikat e tua po i mbajnë ata në skllavëri. Së pari duhet t’ua heqësh zinxhirët nga duart dhe këmbët”.
Ndonjëherë, kriza fshatare arrin në media për arsye të tjera. Kryengritjet e Pranverës Arabe, në fillim të viteve 2010, morën forcë nga protestat agrare në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut - edhe pse fermerët u margjinalizuan shpejt pas kësaj. Shumë nga ato që zakonisht raportohen si “terrorizëm” ose “militantizëm”, gjithashtu e kanë rrënjën në kolapsin e fshatit. Boko Harami dhe grupet e tjera militante që operojnë përgjatë skajit jugor të Saharasë, marrin forcat e veta nga fermerët dhe blegtorët e zhvendosur nga shkretëtirëzimi, ndryshimet klimatike dhe mbyllja e rrugëve tradicionale nomade. “Grupet xhihadiste”, shkruan një ekspert, “kanë kuptuar se disa grupe janë lënë të menaxhojnë vetë pasojat shkatërruese të ndryshimeve klimatike mbi jetesën e tyre tradicionale”, gjë që ka “krijuar terren pjellor për rekrutim”.
Migrimi masiv është një tjetër simptomë e kësaj krize. Shumica e refugjatëve ruralë shkojnë në metropolin më të afërt, por dhjetëra milionë detyrohen të kalojnë kufijtë ndërkombëtarë. Karvanët e migrantëve që largohen nga Guatemala, El Salvadori dhe Hondurasi drejt Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, përbëhen kryesisht nga këta refugjatë. Rrugët e tjera çojnë nga Burkina Faso, Mali, Nigeri dhe Çadi përmes Afrikës së Veriut drejt Evropës, si dhe nga Afrika Lindore drejt Azisë Perëndimore.
Pastaj është vetëvrasja. Sipas përfaqësuesve të fermerëve që kam intervistuar, më shumë se 400 mijë fermerë indianë ia kanë marrë vetes jetën. Përqendrimi më i madh ka qenë në rajonet e kultivimit të pambukut në Maharashtra; pambuku është burim global kritik, çmimi i të cilit është një çështje me shqetësim të madh politik. Një rrjet i sofistikuar ligjesh dhe tregjesh i nxit fermerët e pambukut të vazhdojnë të shesin nën koston e prodhimit - dhe kështu të hyjnë në një spirale borxhi nga e cila shpesh nuk gjejnë dalje tjetër përveç vdekjes.
Këto janë ndër simptomat e krizës së fshatarësisë globale në epokën neoliberale. Nuk duhet të kemi dyshime: kjo është një krizë politike. Kudo shtetet po e prishin kontratën e tyre me fshatarët dhe po kthehen drejt aleancave anti-bujqësore - krah korporatave globale, me njerëzit e fuqishëm lokalë, krimin e organizuar dhe gangsterizmin. Duke qenë e pakontrolluar, kjo krizë do të sjellë pasoja të tmerrshme; madje mund të kërcënojë mbijetesën tonë si specie. Sipas mendimit tim, kjo është historia më e rëndësishme e shekullit XXI.
Në pjesën më të madhe të historisë, fshatarët siguronin burimin bazë ekonomik: pa ta nuk kishte shtet. Pra, ekzistonte një lidhje e veçantë mes fshatarëve dhe mbretërve. Sundimtarët e suksesshëm - për shembull në Kinë, Persi, Indi, Egjipt, Arabi, Etiopi, Afrikën Perëndimore, Ande - e ushqyen ekonominë bujqësore duke nisur punime për ujitje, duke mbrojtur pronat e tokës së fshatarëve, duke garantuar çmimet e të korrave, duke ushqyer popullsinë kur të korrat dështonin dhe duke kontrolluar tregtarët, ndërmjetësit dhe spekulatorët e tokës. Shumë prej këtyre sistemeve u shkatërruan nga kolonializmi evropian; rikthimi i tyre ishte një objektiv madhor i qeverive postkoloniale aziatike dhe afrikane. Çështje të ngjashme përfshinë edhe Amerikën Latine të shekullit XX, ku lëvizjet demokratike bujqësore vazhdimisht përballeshin me oligarkitë e pronarëve të tokave dhe aleancat antikomuniste.
Në dekadat deri në vitin 1980, shumë vende në zhvillim panë reforma të rrepta dhe dramatike bujqësore. Qeveritë rishpërndanë tokën, u siguruan fermerëve tituj pronësie dhe i mbrojtën nga nevojat për ta shitur në kohë të vështira. Farat u bënë burim kombëtar kritik; shtetet ngritën banka farash dhe qendra kërkimore për të ruajtur trashëgiminë e tyre, për të zhvilluar varietete me rendiment të lartë dhe për të garantuar furnizimin. Shtetet gjithashtu formalizuan tregjet bujqësore, vendosën çmime minimale dhe shpesh vetë u bënë blerës të fundit. Në rastet më të mira - për shembull në Korenë e Jugut ose në Meksikë - këto strategji përmirësuan si standardet e jetesës, ashtu edhe prodhimin bujqësor.
Shumë nga këto reforma u përmbysën gjatë ristrukturimit neoliberal të viteve 1980-’90. Nxitur nga agjenci të tilla, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Organizata Botërore e Tregtisë, ky proces i detyroi shtetet të riorganizoheshin rreth konkurrencës për kapitalin global. Për pasojë, ato krijuan aleanca të reja jo vetëm me këto agjenci, por mbi të gjitha me agrobiznesin global. Si rezultat, një kontroll i rëndësishëm mbi punët rurale iu dorëzua bankave dhe korporatave ndërkombëtare. Kriza e sotme e fshatarëve buron pikërisht nga kjo.
Kjo nuk do të thotë se tregjet globale po e zëvendësojnë bujqësinë fshatare me teknika më “moderne”. Është e vërtetë që, në disa sektorë kulturash, plantacionet kanë zëvendësuar fermat e vogla. Prodhimi i grurit, për shembull, mund të kryhet në shkallë të gjerë me shumë pak punë njerëzore, duke përdorur mekanizimin dhe zakonisht sasi të larta të karburanteve fosile dhe plehrave kimike; teknikat e tilla janë përhapur nga Meksika dhe Ukraina në Kazakistan dhe Indi. Edhe palmat e vajit: në disa pjesë të Azisë Juglindore, fermerët e vegjël janë zhveshur me forcë nga toka dhe më pas janë rikthyer si punëtorë me pagesë në plantacionet korporative të palmave të vajit. Edhe pula: zonat e shpendëve në Kinën Jugore - ku dikur blegtoria e pulave ishte sektor i fshatarëve - tani përqendrojnë afërsisht një miliard pula në kushte të ngjashme me fabrikat.
Megjithatë, jo të gjitha llojet e bujqësisë mund të industrializohen. Orizi, i cili është ushqimi bazë për gjysmën e planetit, nuk është i përshtatshëm për plantacione të mëdha; kërkon ndërhyrje intensive njerëzore dhe kultivohet më mirë në ferma të vogla familjare. Pra, pavarësisht dekadave të ndikimit korporativ, orizi ende prodhohet nga rreth gjysmë miliard fshatarë. E njëjta gjë vlen për kultura të tjera thelbësore. Prodhimi i pambukut është mekanizuar në ShBA dhe Evropë, por cilësia po bie, prandaj prodhimi fshatar vazhdon të dominojë; fermat e vogla familjare në Indi dhe Kinë kontribuojnë me pjesën më të madhe të furnizimeve globale.
Fshatarët jo vetëm që kanë aftësi thelbësore, por ata janë gjithashtu, nga këndvështrimi i korporatave, partnerë të dëshirueshëm - pikërisht sepse janë të vegjël, politikisht të dobët dhe të lehtë për t’u bindur. Në disa sektorë, korporatat kanë bërë madje edhe një zbulim fitimprurës se fshatarët - të cilët përkushtimin e parë e kanë ndaj tokës - do të vazhdojnë të punojnë edhe me humbje. Pra, riorganizimi neoliberal i fshatit nuk e ka zhdukur fshatarësinë. Përkundrazi, fshatarët janë rikonstituuar ligjërisht në një mënyrë që maksimizon efikasitetin dhe fitimin. Në këtë proces, shtetet që më parë qëndronin pranë popullatave të veta kundër korporatave multinacionale - të cilat shpesh i shihnin si ndikim neokolonial - kanë ndërruar anë duke u rreshtuar me kapitalin e madh kundër masave të tyre agrare.
Fokusi i parë i reformës neoliberale në fshat ka qenë të kthejë fshatarësinë globale në konsumatorë të agrobiznesit. Farat ishin në qendër të kësaj: nën flamurin e mbrojtjeve të pronësisë së Organizatës Botërore të Tregtisë, fondacionet dhe agjencitë ndërkombëtare të financimit bindën vendet në zhvillim të shpallnin të paligjshme ruajtjen dhe shkëmbimin tradicional të farave dhe të shpërbënin bankat shtetërore të farave. Fermerët, për pasojë, u bënë të varur nga produktet e korporatave - të cilat shpesh zgjatnin vetëm një sezon dhe nuk mund të ruheshin. Fermerët e vegjël, në shumë vende, kanë protestuar kundër humbjes së “sovranitetit të farave” dhe kundër biodiversitetit që pasoi. Për shembull, mijëra fermerë ganezë protestuan kundër Projektligjit të Kultivuesve të Bimëve të vitit 2013, i cili i çonte përpara interesat e agrobiznesit duke kriminalizuar fermerët që i ruanin fara për t’i mbjellë vitin tjetër; projektligji u tërhoq nën presion, por u paraqit sërish në vitin 2020 - me një emër tjetër.
Përkrahësit e farave korporative shpesh i referohen Revolucionit të Gjelbër - një triumf i viteve ‘70 të shekullit XX, i laboratorëve dhe fondacioneve amerikane. Ky revolucion u ndërtua mbi varietete farash me rendiment të lartë dhe të inxhinieruara gjenetikisht e të shoqëruara me ujitje intensive dhe plehra kimike. Trashëgimia e tij është vërtet e dyshimtë: në shtetin Penxhab, qendra e Revolucionit të Gjelbër të Indisë, toka bujqësore është ngopur me kimikate, akuiferët janë shterur në mënyrë të tmerrshme dhe fermerët janë bllokuar në një cikël kostosh gjithnjë në rritje. Megjithatë, në epokën e krizës klimatike, vetë fshatarët janë të dëshpëruar të gjejnë fara më të qëndrueshme dhe me rendiment më të lartë. Me heqjen e burimeve alternative të farave, korporatat janë kënaqur me përfitimet. Bayer (Gjermani) dhe Corteva (SHBA) kontrollojnë 80 për qind të patentave për farat e modifikuara gjenetikisht. Bashkë me farat janë plehrat dhe pesticidet korporative; për shembull, së bashku me ChemChina-n dhe Sinochem-in (Kinë) dhe BASF-in (Gjermani), ato kompani kontrollojnë rreth 60 për qind të tregut global të pesticideve.
Deri tani, fshatarësia globale shpenzon qindra miliarda dollarë çdo vit për fara dhe kimikate industriale. Edhe pse prodhimi bujqësor është padyshim më i lartë, si rezultat i kësaj, këto shpenzime janë në mënyrë të rrezikshme në shpërputhje me të ardhurat e fshatarëve. Tradicionalisht, fshatarët përpiqeshin sa më shumë t’ia dilnin pa para, të cilat zakonisht vinin me shumicë vetëm gjatë sezonit të korrjes. Ata shpenzonin pak për fara dhe plehra dhe ushqeheshin, sa të ishte e mundur, nga burimet e veta. Sot, fshatarët duhet të nxjerrin sasi të konsiderueshme parash në kohën e mbjelljes dhe gjatë gjithë sezonit të rritjes - për të mbërritur deri te korrja.
Ndryshimet klimatike gjithashtu detyrojnë shumë fshatarë të mbjellin disa herë, duke rritur ndjeshëm koston e kultivimit. Ndonëse shpenzojnë gjithashtu shumë më tepër për shpenzime të rregullta, si arsimi i fëmijëve, pjesa më e madhe e këtyre parave duhet të merren borxh. Shumica e qeverive kanë skema kredie për bujqësi, por ca fshatarë nuk kanë kolateral apo dokumentacion të duhur për të përmbushur nevojat në këtë mënyrë. Të tjerët e shterojnë shpejt potencialin që kanë dhe duhet të kërkojnë hua diku tjetër. Prandaj, këtu buron rëndësia e madhe, veçanërisht në Azi dhe Afrikë, e fajdexhinjve ruralë. Shpeshherë duke kërkuar 10 për qind interes ose më shumë në muaj, fajdexhinjtë mund të lënë pas vetes dëme të mëdha njerëzore.
Së dyti, politikat neoliberale kanë transformuar tregjet bujqësore. Gjatë dekadave të fundit, fermerët janë përjashtuar gjithnjë e më shumë nga të ardhurat që rrjedhin nga prodhimi i tyre. Megjithatë, janë të ndryshme dhe komplekse mënyrat me të cilat është arritur ky përjashtim.
Është e qartë se korporatat e mëdha kanë fuqinë të diktojnë çmimet e tregut, në dëm të miliona prodhuesve të vegjël. Në këtë aspekt, tregjet e hapura duket se veprojnë kundër fermerëve. Por, e gjithë historia është më e nuancuar. Fermerët e botës në zhvillim, që kultivojnë kakao, kallam sheqeri ose pambuk, rrallëherë marrin çmimet e tregut për produktin e tyre. Midis tyre dhe këtyre çmimeve qëndrojnë shpesh të njëjtat institucione shtetërore që u krijuan në shekullin XX - për të mbrojtur të ardhurat e fermerëve. Këto borde tregtare dhe çmimet e tyre të fiksuara, tashmë kanë rrëshqitur drejt një funksioni pothuajse të kundërt.
Për shembull, në vitin 1947 Gana krijoi monopole tregu për t’u siguruar që fermerëve të kakaos do t’u paguheshin çmimet e drejta. Sot, ato institucione e interpretojnë “interesin kombëtar” në mënyrë të kundërt. Ato veprojnë për të mbajtur çmime të ulëta, dhe kështu për të gjeneruar një subvencion jo vetëm për shtetin, por edhe për eksportuesit, përpunuesit dhe konsumatorët e çokollatës. Në vitin 2023-‘24, çmimet ndërkombëtare të kakaos u rritën deri në 12 mijë dollarë për ton, por të ardhurat e fermerëve u kufizuan në çmimin e qeverisë i cili luhatej mes 1 800-3 000 dollarë për ton. Janë komplekse ndërveprimet mes gjigantëve ndërkombëtarë të ëmbëlsirave dhe agjencive qeveritare të Afrikës Perëndimore, por rezultatet nuk janë. Në vitet ’70 të shekullit XX, fermerët e kakaos fitonin deri në 50 për qind të vlerës së çokollatës së përfunduar; kjo ra në 16 për qind në vitet ‘80 të shekullit XX dhe tani ndoshta është në rreth gjashtë për qind. Ndërkohë që vlera e industrisë së çokollatës ka kaluar 100 miliardë dollarë, disa fermerë kakaoje, në ato vende, fitojnë më pak se 300 dollarë në vit. Gana dhe Bregu i Fildishtë, industritë e kakaos të të cilave dikur siguronin vende pune për migrantë nga e gjithë Afrika Perëndimore, tani janë burime të rëndësishme migrimi drejt Evropës.
Shumica e fshatarësisë botërore sot viktimizohet si nga tregjet e lira ashtu edhe nga mbetjet e socializmit të kontrolluar nga shteti. Pra, politika fshatare është më komplekse sesa imagjinohet zakonisht. Shumë fshatarë ndjekin lëvizjen e majtë La Vía Campesina, e cila kërkon të rikthejë sistemet tradicionale fshatare dhe kështu të kundërshtojë farat e modifikuara gjenetikisht dhe kapjen e bujqësisë nga korporatat. Por, ka gjithashtu mbështetës po aq të vendosur të qëndrimit pothuajse të kundërt. Në vendet ku mbrojtjet e vjetra socialiste janë kthyer në instrumente për uljen e çmimeve, shumë fermerë ëndërrojnë tregjet e lira. Siç më tha një aktivist agrar në Indi: “Ne thjesht duam t’i shesim të korrat tona me çmimet e tregut. Duke na mbrojtur, qeveria na ka bërë të varfër. Ne themi: ‘Hiqni mbrojtjet tuaja dhe na lini të përballemi me pasojat’”.
Shënjestra e tretë e reformës neoliberale të fshatit është toka fshatare. Për dallim nga urtësia konvencionale - urbane - shumica e fshatarëve duan ta mbajnë tokën që kanë. Së fundmi pyeta një fermer indian pambuku se pse vazhdonte punën e tij rraskapitëse, kur mezi mbulonte koston e kultivimit dhe i duhej të bënte punë të tjera për të financuar humbjen në fermën e tij. Pse nuk e shiste thjesht tokën për t’u përqendruar në veprimtari më fitimprurëse? “Toka është nëna jonë”, u përgjigj ai. “E shet dot nënën tënde”? Këtë ndjesi e kanë shumë fshatarë, për të cilët toka përfaqëson jo veç siguri ekonomike, por trashëgimi, paraardhës dhe gjeneratat që do të vijnë.
Megjithatë, në shumë vende shitja e tokës bujqësore nuk është vetëm e padëshirueshme, por edhe e vështirë. Politikat pro-fshatare të miratuara nga Egjipti, India, Meksika dhe shumë vende të tjera në vitet 1950-’60 - të cilat ndaluan pronësitë e mëdha të tokave dhe parandaluan që toka bujqësore të merrej për përdorime të tjera - tani sigurojnë që tregjet e tokës rurale të mbeten të dobëta dhe çmimet të ulëta. Shitja e tokës madje mund të mos u sigurojë fermerëve kapital të mjaftueshëm për ta filluar një jetë të re diku tjetër. Pra, shumë shpesh ata vazhdojnë të punojnë tokën. Edhe nëse parcela e tyre është tkurrur - pas disa brezave të trashëgimisë - nën pragun e qëndrueshmërisë; edhe nëse është degraduar nga mungesa e investimeve të përhershme; edhe nëse të ardhurat janë kthyer në shifra negative - ata vazhdojnë ta kultivojnë në vend që ta lënë të kthehet në djerrinë. Pra, ferma nuk është burim të ardhurash: ajo siguron thjesht stabilitet, një bazë familjare, një ndjesi vatre. Përreth saj, fshatarët krijojnë ekonomi hiper-moderne: bëjnë turne në fabrika për të subvencionuar kultivimin, dërgojnë anëtarë të familjes në punë ndërtimi jashtë vendit, drejtojnë transportin dhe shërbimet lokale. Shumë prodhime fshatare sot financohen nga burimet e tjera të tilla dhe funksionon si një shërbim publik me humbje. Fasadat e reja, të lyera me ngjyra të ndezura në fshatrat kamboxhiane, nuk paguhen me fitime të paqena nga orizi, por me remitencat e anëtarëve të familjes që punojnë në fabrika koreano-jugore.
Kur toka bujqësore devijohet për përdorime të tjera, procesi shpesh është i dhunshëm. Në Brazil, Kamboxhia, Ganë, Indi, Filipine dhe shumë vende të tjera, fermerët janë shpronësuar me forcë - në mënyrë që tokat e tyre të ripërdoren për plantacione, miniera dhe projekte turistike. Shpeshherë, këto dëbime zbatohen nga agjencitë shtetërore; në Etiopi, Honduras dhe gjetkë, forcat e policisë kanë burgosur apo qëlluar mbi fermerët që protestonin. Por, zona të mëdha të fshatit global po kriminalizohen gjithashtu, dhe fermerët e gjejnë veten në konkurrencë edhe me forcat e dhunshme jo-shtetërore. Për shembull, fermerët fshatarë janë viktimat kryesore të minatorëve të paligjshëm të arit në Peru dhe Kolumbi, të spekulatorëve të drurit dhe mineraleve në Mianmar, të grupeve paramilitare të lidhura me Rusinë që pushtojnë depozitat minerare në Mali dhe Republikën e Afrikës Qendrore. Minierat që shpesh dalin nga ky kaos ndotin tokat e mbetura bujqësore me cianid dhe kimikate të tjera, duke shkatërruar më tej ekonominë fshatare.
Dy miliardë njerëz nuk mund të zhvendosen në qytete. Po, popullsia rurale e Kinës ka rënë nga 80 për qind në vitin 1980 në 35 për qind - por, Kina është rast unik. Edhe në Indinë fqinje, popullsia rurale mbetet 65 për qind - ose 900 milionë njerëz. I gjithë prodhimi botëror industrial, ndërtimi dhe minierat aktualisht punësojnë vetëm 800 milionë njerëz: pra. është e qartë se fshatarësia globale nuk mund të përthithet nga industria. Duhet të kuptojmë se në mungesë të niveleve të jashtëzakonshme të industrializimit, asgjë nuk mund të mbajë popullsi të mëdha më mirë se toka. Duhet të ndalojmë së konsideruari urbanizimin si treguesin kryesor të përparimit zhvillimor dhe të kuptojmë se ai është, në shumë raste, shenjë e një fatkeqësie madhore: shkatërrimi i jetës rurale nga agrikultura dhe industria e madhe, si dhe humbja e sistemeve të pazëvendësueshme njerëzore dhe ekologjike.
Armiku i përditshëm i fshatarësisë është i njëjti si i yni: ndryshimet klimatike. Ato sjellin rritje temperaturash, thatësira, stuhi më të dhunshme dhe më shumë parregullsi sezonale. Shirat nuk bien në kohën kur duhen mbjellë farat; stuhitë e papritura shkatërrojnë të korrat dhe nxisin përhapjen e dëmtuesve. Ajo që u duhet realisht fshatarëve është një program i gjerë përshtatjeje ndaj ndryshimeve klimatike, që do të përfshinte kryesisht kalimin në varietete dhe kultura të tjera. Megjithatë, një përshtatje e tillë kërkon kapital. Fermat duhet të riformohen; kërkohet material i ri bimor; duhet të ketë mundësi - si në çdo eksperiment - për dështim. Duke marrë parasysh skenarin e përshkruar, nuk është për t’u habitur që shumica e fermerëve nuk mund të mbledhin kapitalin e nevojshëm.
Tradicionalisht, fshatarët ua kthenin tokës lëndët ushqyese - në formën e mbetjeve bimore, jashtëqitjeve njerëzore e shtazore, lëkurave dhe fibrave të dekompozuara. Meqenëse shumica e produkteve bujqësore tani konsumohen në qytete, shumëçka nga ky material grumbullohet si kanalizim urban dhe mbeturina - dhe mënyra e vetme që lëndët ushqyese t’i rikthehen tokës është në formën e plehrave kimike. Me kalimin e kohës, kjo bën që pjelloria e tokës të bjerë. Në kërkimet e mia në terren, kam parë fermerë që qanin mbi dëmin që kimikatet ua kishin shkaktuar tokave të tyre. Ndryshe nga korporatat, fshatarët nuk munden ta shpërfillin shkatërrimin e një toke të caktuar dhe të kalojnë në tjetrën. Parcela e tyre u erdhi nga paraardhësit të cilët ua lanë për trashëgimi edhe me një përgjegjësi të shenjtë.
Duhet të jetë shkak për alarm të madh fakti që sot fondi tokësor bujqësor i botës është kaq rëndë i dëmtuar. Nëse shkatërrohen ekonomitë fshatare të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë, do të shembet sistemi ynë ushqimor. Duke pasur parasysh numrat e mëdhenj të përfshirë, edhe përkeqësimet e vogla ekologjike mund të detyrojnë miliona refugjatë të rinj të largohen nga toka. Në varësi të mënyrës se si do të zhvillohen gjërat, Organizata Ndërkombëtare për Migracion e OKB-së parashikon se deri në vitin 2050 do të ketë mes 25 milionë dhe një miliard refugjatë klimatikë. Ata njerëz nuk kanë gjasa të punojnë në zyra apo fabrika. Historia sugjeron se disa do të detyrohen të sigurojnë jetesën me forcë, duke iu bashkuar grupeve militante të financuara nga kontrabanda, rrëmbimet dhe zhvatja. Balanca politike globale veçse është e brishtë.
Siç pritej, agrobiznesi paraqitet si zgjidhja. Faqet zyrtare të kompanive të mëdha ushqimore paraqesin punëtorë të lumtur plantacionesh, të veshur me uniforma korporative. Ato mburren me angazhimin e tyre ndaj bujqësisë “të qëndrueshme” apo “rigjeneruese”. Kompanitë si McDonald’s, Bayer, Mars dhe PepsiCo janë pjesë e një grupi pune të agrobiznesit, brenda Iniciativës së Tregjeve të Qëndrueshme - e cila shpall si qëllim krijimin e një sistemi ushqimor global, më të qëndrueshëm dhe më elastik. “Ne mund ta arrijmë këtë”, shpjegoi CEO i Bayer-it në vitin 2022, “vetëm nëse ne si industri, në mënyrë kolektive rrisim përpjekjet tona për të adoptuar praktikat rigjeneruese bujqësore”.
Edhe nëse deklaratat e tilla janë të sinqerta, 40 vjetët e fundit duhet të na bëjnë dyshues. Partneriteti midis korporatave të mëdha dhe fshatarësisë globale u ka mundësuar të parave të marrin të ardhurat e të dytëve, dhe kështu të heqin një pjesë të madhe të likuiditetit nga vetë fshati global. Njerëzit që jetojnë aty, pasuritë më të çmuara të të cilëve ndodhen aty, dhe jetesa e të cilëve është e lidhur ngushtë me të, kanë parë se si dëmtohet në mënyrë shkatërrimtare kapaciteti i tyre për menaxhim dhe investim të përgjegjshëm. Zgjidhja e vetme reale është që përgjegjësia t’u jepet atyre njerëzve që kanë interes për jetë a vdekje në bujqësinë rigjeneruese.
Mënyra e jetesës fshatare është mburojë kritike kundër ndryshimeve klimatike. Fshatrat e bujqve riciklojnë mbeturinat biokimike sërish në tokë; shumë fshatarë gjithashtu i sigurojnë nevojat ushqimore nga fermat e tyre. Fshatarët, të cilët menaxhojnë drejtpërdrejt rreth 10 për qind të tokës në Tokë - një sipërfaqe pesë herë më e madhe se të gjitha qytetet dhe vendbanimet - ofrojnë një parim balancues ndaj shfrytëzimit korporativ dhe mendimit afatshkurtër. Ata gjithashtu ruajnë dijen kritike lokale mbi tokën dhe sistemet klimatike, si dhe mbi ndërveprimet e bimëve dhe kafshëve. Fshatarësia është një nga burimet më thelbësore ekonomike, shoqërore dhe ekologjike të njerëzimit, dhe ne duhet të investojmë në të nëse duam të lulëzojmë. E pasur dhe inovative, kjo klasë do të na mbrojë nga degradimi më ekstrem i sistemeve natyrore. E varfëruar dhe e terrorizuar, ajo do të detyrohet, në fund, të braktisë tokën në mënyrë masive dhe me pasoja të shumta shkatërrimtare.
Në vitin 1979, duke shkruar nga një fshat i largët në Francën lindore, John Berger vuri re se objektivi i fshatarit ishte: “T’ua dorëzonte fëmijëve mjetet e mbijetesës (nëse ishte e mundur, më të sigurta në krahasim me ato që ai vetë i kishte trashëguar). Idealët e tij ndodheshin në të kaluarën; detyrimet e tij ishin ndaj së ardhmes të cilën vetë ai nuk do të jetonte për ta parë”.
Të gjithë do të bënim mirë - mbijetesa mund të varet nga kjo - të përgjithësojmë përshkrimin e duhur të Bergerit për marrëdhënien e fshatarit me jetën dhe tokën. Kriza e fshatarësisë globale qëndron në qendër të të gjitha krizave të tjera, dhe ne duhet ta zgjidhim atë. Duhet t’i rikthejmë fshatarët në qendër të botëkuptimit tonë. Lufta e tyre për të mbajtur vendin dhe rolin e tyre jetësor është edhe lufta jonë. Një luftë e species. /Telegrafi/

















































