Legjenda e Manchester United, Wayne Rooney ka vënë në dyshim dy prej vendimeve të klubit në merkato, pas humbjes 3-0 në derbin ndaj Manchester Cityt në “Etihad Stadium”.

City dominoi tërësisht në përballjen ndaj rivalit lokal, me Erling Haaland që realizoi dopietë derisa rrugën drejtë golit e gjeti edhe Phil Foden.


Rooney nuk e fshehu zhgënjimin, duke theksuar se nuk e kupton pse United nuk e afroi Gianluigi Donnarumma gjatë verës. Ai gjithashtu ngriti dyshime mbi transferimin e portierit belg të ri, Lammens, të ardhur nga Royal Antwerp, duke e cilësuar si një lëvizje të nxituar.

“Ishte shqetësuese… nuk e di nëse ky ishte një blerje paniku”.

“Sinqerisht nuk di shumë për portierin e ri, nuk mendoj se shumica prej nesh e kemi parë të luajë. Nëse blen një portier dhe nuk është gati të hyjë menjëherë në formacion, kjo është problem. Donnarumma do të futej që nga minuta e parë dhe do të bënte diferencën”.

Senne Lammens

Sipas tij, United ka marrë sërish një lojtar “për potencial”, duke rrezikuar në një pozicion kyç, në vend që të siguronte një portier të gatshëm për nivelin më të lartë.

Duke folur për ecurinë e skuadrës nën drejtimin e Amorim, Rooney shtoi:

“Dua të jem sa më mbështetës e pozitiv ndaj trajnerit dhe lojtarëve, por është shumë e vështirë të thuash se po shohim progres. Nuk ka shenja se rezultatet do të ndryshojnë shpejt”, nënvizoi anglezi në podcastin e “BBC Sport”.

Rooney vuri në dukje edhe pamjet e fundit të derbit, ku tifozët e United filluan të largoheshin nga stadiumi, pavarësisht se disa prej tyre vazhdonin të këndonin emrin e trajnerit.

“Ky ishte një mesazh i fortë nga tifozët, ata ishin të zhgënjyer nga ajo që panë në fushë. Është e vështirë të shohësh se si kjo mund të vazhdojë”, – përfundoi ish-kapiteni i “Djajve të Kuq”./Telegrafi/

telegrafi sport app