Blendi Memaj rrëfen karrierën në "Arena e Yjeve" – nga Besiktasi te rikthimi në Superligën e Kosovës

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, prodhim i Telegrafit, vjen një rrëfim i rrallë nga ish-futbollisti kosovar Blendi Memaj, i njohur për eksperiencat e tij me gjigantin turk Besiktas, ekipin Beylikduzuspor dhe disa klube në Kosovë. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Air Munich.
Në këtë intervistë të veçantë, Memaj rrëfen hapat e parë në karrierë – nga fillimi me KF Liria, deri te përzgjedhja në ekipin kombëtar U15 të Kosovës, ku ra në sy të një menaxheri që e çoi drejt akademisë së Besiktasit.
Ai tregon emocionet e momentit kur mori lajmin për pranimin në këtë klub të madh turk, jetën si pjesë e akademisë dhe rutinën e përditshme si lojtar i ri në një ambient profesionist.
Memaj ndalet edhe te stërvitjet me ekipin e parë të Besiktasit nën urdhrat e Slaven Bilic dhe Edin Terzic, si dhe takimet me yje si Ricardo Quaresma, Vincent Aboubakar dhe Anderson Talisca. Një moment vendimtar ishte lëndimi gjatë stërvitjes me ekipin e parë, që ndikoi në rrjedhën e karrierës së tij.
Pas një periudhe te Rabotnicki, Blendi kujton ndalimin e papritur në Serbi gjatë kthimit nga një provë në Kroaci, si dhe rikthimin në Kosovë te Trepça '89 dhe më pas sërish te Liria, përpara se të kalonte te Beylikduzuspor në Turqi.
Në fund, ai ndalet edhe te eksperiencat me Lirinë, Llapin dhe Dukagjinin, si dhe momentin emocional të penalltisë që e riktheu klubin e zemrës së tij në Superligë.
Episodi i plotë me Blendi Memajn transmetohet të shtunën në ora 17:10 në RTV Dukagjini, si dhe publikohet në kanalin zyrtar në YouTube të Telegrafit. Mos e humbisni këtë rrëfim të sinqertë e frymëzues nga një ish-futbollist që ka përjetuar majat dhe sfidat e karrierës. /Telegrafi/











































