Nga: Dan Stone / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, një sasi e madhe e literaturës studimore është shfaqur mbi rolin e bizneseve gjatë Rajhut të Tretë. Në Gjermaninë e re të viteve 1990, korporatat u vunë nën presion për të hapur arkivat e veta dhe shumica e bënë këtë me dëshirë – jo më pak sepse kjo kishte kuptim edhe nga pikëpamja e tregut. Studimet që pasuan, kryesisht në gjermanisht, përfshijnë analiza mbi bankat, kompanitë e sigurimeve, institucionet financiare dhe të tjera, duke qenë njëherazi të ndërlikuara në aspektin teknik dhe tronditëse në përfundimet e tyre.
Prandaj, është për t’u vlerësuar fakti që Peter Hayes, në librin e tij të ri Përfitimet dhe përndjekja [Profits and Persecution], jo vetëm që përmbledh këtë literaturë dhe gjetjet arkivore në më pak se 200 faqe të qarta dhe të kuptueshme, por e bën këtë edhe duke ofruar analiza interesante dhe origjinale. Argumenti i tij, i shprehur në parathënie, është se “duke vepruar në mënyrë racionale në kontekstin e Rajhut të Tretë, drejtuesit e korporatave në fakt vepruan në mënyrë ideologjike, pasi zgjedhjet e tyre zakonisht i shërbenin regjimit dhe qëllimeve të tij”.
Hayes e zhvillon argumentin e tij përmes një analize të detajuar kronologjike, mbi mënyrën se si firmat gjermane “u koordinuan” me regjimin, “se si ç’hebraizuan” bordet drejtuese dhe, gjatë Luftës së Dytë Botërore, u përpoqën të përfitonin nga mundësitë e krijuara nga kërkesat e nazistëve, duke përfshirë shfrytëzimin brutal të punëtorëve të huaj dhe të të burgosurve të kampeve të përqendrimit. Në rastet më të rënda, ato siguronin punishtet dhe fabrikat e getove dhe kampeve të përqendrimit (Allianz), shkrinin arin dhe metalet e çmuara që nazistët u kishin vjedhur viktimave, përfshirë nga gojët e tyre (Degussa), dhe ishin kontraktuar për të siguruar sistemet elektrike të disa prej instalimeve të vrasjes në Aushvic-Birkenau (AEG) – edhe pse shumë prej këtyre veprimtarive nuk ishin veçanërisht fitimprurëse.
Bizneset gjermane fituan shumë para nga valët e “arianizimit” të firmave hebraike – pra, nga vjedhja e tyre me çmime simbolike. Megjithatë, ato ishin gjithmonë të kufizuara nga shteti, nga vendosmëria e Partisë Naziste për të ruajtur kontrollin e ekonomisë dhe nga dëshira e individëve, si Hermann Göring, për t’u pasuruar personalisht. Fakti që “përfitimet nga bashkëpunimi ishin përgjithësisht të vogla”, kjo ngre pyetjen se pse këto korporata vepruan në këtë mënyrë.
Hayes argumenton se në vitet pas ardhjes së nazistëve në pushtet, drejtuesit e bizneseve të mëdha gjermane u vendosën në një “territor mashtrues të mesëm në politikën publike” – që do të thotë se, edhe nëse shumica e tyre e shihnin me përçmim fanatizmin nazist, nuk ishin të gatshëm të flisnin kundër tij, nga frika se mund të dëmtonin interesat e kompanive të tyre.
Ky “konformizëm” refleksiv bëri që ata të përshtateshin me kërkesat e shtetit për të financuar sigurimin e vazhdueshëm të armatimeve, sidomos kur u bë e qartë se përmbushja e kërkesave të nazistëve u sillte fonde: një lloj “shantazhi i përhershëm” në të cilin bizneset e mëdha u përfshinë me dëshirë. Siç shkruan Hayes për këtë ekonomi të çuditshme dhe të përzier: “Shteti përcaktonte qëllimet e prodhimit, por ambiciet dhe energjia e individëve siguronin mjetet për t’i realizuar ato”.
Rezultati, në Përfitime dhe përndjekje, është një analizë e nuancuar e rolit të bizneseve gjermane, e cila shkon përtej pretendimeve të thjeshta mbi industrialistët e keqbërës – shpjegimi liberal – ose kapitalizmin monopolist grabitqar – shpjegimi marksist. Bazuar në kërkimet e tij arkivore dhe ato të historianëve të tjerë, Hayes ka bërë një libër studimor, por të lexueshëm, që ofron një analizë të sofistikuar, të ndjeshme ndaj kompleksiteteve të jetës reale.
Në fund të vitit 1941, kur filloi të bëhej e qartë se ekonomia e luftës e nazistëve po shpërbëhej, bizneset e mëdha ishin përfshirë aq thellë saqë nuk mund të bënin ndryshime të rëndësishme. Më e mira që drejtuesit e tyre mund të bënin ishte të zbatonin masa të kujdesshme për të shkëputur veten nga regjimi nazist, si për shembull krijimi i “grupeve të fshehta për planifikimin e paqes”. Siç vëren Hayes, shumë prej tyre ia dolën me sukses – përfshirë disa nga familjet më të pasura të Gjermanisë sot. “Llogaritjet e tyre racionale i çuan në shërbim ideologjik”, siç thotë Hayes, megjithatë ata mbijetuan shumë mirë në botën e “barbarizmit konkurrues”, me fitime të mjaftueshme për të mbuluar pagesat e dëmshpërblimeve në dekadat pas luftës.
Një vit më parë, autorët anglezë Douglas Brown dhe Christopher Serpell kishin botuar një libër të jashtëzakonshëm të titulluar Nëse vjen Hitleri [If Hitler Comes], në të cilin Britania bie nën dominimin gjerman. Në një moment, narratori, një gazetar nga Zelanda e Re, përshkruan se si biznesmenët britanikë kishin gabuar në vlerësimin e pozicionit të tyre në Evropën e re: “Ka një gjë për këta gjermanët”, thoshin me nervozizëm drejtuesit e bizneseve të mëdha, duke u përpjekur t’i japin kurajë njëri-tjetrit; “ata vërtet duan të çojnë punët deri në fund”.
Disa besojnë se shkrimi i historisë nuk duhet të lidhet me çështjet e ditëve të sotme. Por, ndërsa drejtuesit e korporatave të mëdha në ShBA – disa me të ardhura më të mëdha se PBB-ja e disa shteteve të vogla – ulen në tryezë me Donald Trumpin, është e vështirë të mos të mendosh për librin e Hayesit se sa e lehtë është për biznesin të rrëshqasë drejt bashkëpunimit me forca të rrezikshme – gjithmonë në emër të “interesave të biznesit”. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Historia e vërtetë e Arratisjes së Madhe

Rëndësia e origjinës, sipas rastit të Marko Boçarit: Sonte nisem për të luftuar kundër shqiptarëve!

Thënie shkodrane: Zoti të dhashtë bereqet n’tru!

Përdorimi i fjalëve të huaja dhe disa huazime të sotme në gjuhën shqipe

Çfarë është një intelektual?

Një biografi e shkurtër e deputetit osman Fuad Pashë Prishtina - Gjinolli

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Për vetëm 29.95€ me Telegrafi Deals dhe Melodia PX, këto patika bëhen tuajat!

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Më të lexuarat

Gjenerali amerikan për Evropë: SHBA në proces të zgjerimit të pranisë së trupave në Kosovë

Mblodhën mijëra euro për të surprizuar Gjestin në BBVA – Djemtë e Diasporës mashtrohen, organizatori zhduket me paratë

Paralajmëron shefi i NATO-s: Një njeri po ndjek nga afër luftën në Ukrainë, ai është i interesuar se kush do të fitojë në fund

Anisa Veseli kryen me sukses operacionin për skoliozën

CNN rikthen pamjet, momenti kur dyshohet se u përdor arma sonike ndaj protestuesve në Serbi

FIFA mund të shkaktojë skandal para Botërorit 2026 - synon ta rikthejë kombëtaren e përjashtuar