Beyonce dhe bashkëshorti i saj, Jay-Z, raportohet se janë në fazat e fundit të blerjes së 58 akrave tokë në Cotswolds, një prej zonave më të kërkuara rurale në Mbretërinë e Bashkuar.

Çifti ka marrë tashmë lejen e planifikimit për të ndërtuar një rezidencë spektakolare, e cila sipas projekteve mund të ketë shtatë dhoma gjumi, nëntë banjo dhe pamje nga një liqen privat.


Ky investim vjen në një treg luksoz që ka tërhequr prej kohësh emra të mëdhenj si familja Beckham, Ellen DeGeneres dhe personalitete të tjera të njohura. Megjithatë, reagimet mes banorëve lokalë janë të përziera, shkruan DailyMail.

Disa e kanë pritur me indiferencë lajmin, ndërsa të tjerë janë shprehur të shqetësuar se ardhja e yjeve të tillë mund të ndryshojë karakterin e qetë të zonës dhe të ndikojë në mundësitë e tyre për strehim.

Çmimi orientues i tokës është 7.5 milionë funte (8.8 milionë euro), por vlera e pronës së re pritet të kalojë 18 milionë funte (përafërsisht 21.1 milionë euro) sapo të përfundojë ndërtimi.

Agjentët imobiliarë e kanë përshkruar Cotswolds si “Hamptons i Mbretërisë së Bashkuar”, duke theksuar jetën luksoze, klubet private dhe ambientin ekskluziv që e bëjnë këtë zonë gjithnjë e më të preferuar nga të pasurit e famshëm.

Beyoncé dhe Jay-Z, të cilët zotërojnë rezidenca marramendëse në Malibu dhe Bel Air, duket se po kërkojnë një bazë të re në Evropë.

Sipas miqve të afërt, këngëtarja është shumë e lidhur me Mbretërinë e Bashkuar dhe e sheh këtë vend si një hapësirë të sigurt e të përshtatshme për jetën e familjes së saj.

Nëse marrëveshja përfundon, ata do të bëhen pjesë e “Grupit Chipping Norton”, rrethi i yjeve që tashmë e kanë kthyer Cotswolds në fshatin më të modës për të jetuar. /Telegrafi/