Beteja për presidentin e ardhshëm të Amerikës fillon: Kush është favoriti?

Sekretari i Shtetit Marco Rubio po u thotë privatisht njerëzve të besuar se JD Vance është kandidati kryesor për president në vitin 2028 dhe se ai do ta mbështeste nëse ai do zgjidhte të kandidonte, sipas dy personave pranë administratës.
Komentet private të Rubios janë një shembull i gjallë i mënyrës se si disa republikanë po luajnë tashmë një betejë për trashëgiminë pas Trumpit, më pak se një vit në mandatin e presidentit.
“Marco ka qenë shumë i qartë se JD do të jetë kandidati republikan nëse ai dëshiron të jetë”, tha një person pranë Sekretarit, duke vënë në dukje se Rubio e ka shprehur këtë ndjenjë privatisht dhe publikisht.
Presidenti Donald Trump i ka emëruar vazhdimisht Vance dhe Rubio si dy pasardhësit e tij më të mundshëm, madje duke sugjeruar javën e kaluar se dyshja duhet të kandidojë me të njëjtën biletë.
Të dy burrat kanë këmbëngulur se janë miq të mirë dhe se nuk ka rivalitet, edhe pse spekulimet rriten se kush mund të trashëgojë MAGA-n.
Një person i tretë pranë Shtëpisë së Bardhë tha se "pritjet janë JD president dhe Rubio zëvendës i tij”.
Ndryshe, Vance tha javën e kaluar se kishte bërë “shaka” rreth faktit që ai dhe Rubio do të jenë në të njëjtën listë për vitin 2028, por se është shumë herët për ta thënë këtë.
“Nuk do të ketë asnjë tension se kush do të jetë në krye të listës”, tha Vance.
Një sondazh i kohëve të fundit i Politico i kryer nga 18-21 tetori tregon se Vance gëzon një avantazh të konsiderueshëm midis votuesve që mbështetën Trump në vitin 2024: 35% e të anketuarve duan ta shohin atë si kandidat presidencial në vitin 2028.
Në të kundërt, Rubio merr vetëm 2% në të njëjtin sondazh, ndërsa 28% e votuesve thonë se do të preferonin ta shihnin vetë Trumpin, pavarësisht kufizimeve të mandatit. /Telegrafi/



















































