Besiktas po planifikon transferimin e yllit të Real Madridit

Edhe pse Real Madrid nuk ka më mundësi të bëjë transferime, ekziston ende mundësia që ndonjë nga lojtarët e saj të largohet, pasi afati i transferimeve në Turqi qëndron i hapur deri më 12 shtator.
Sipas mediave spanjolle, një klub turk ka shfaqur interes për një nga lojtarët që aktualisht ndodhet jashtë planeve të trajnerit Xabi Alonso.
Los Blancos e kanë nisur sezonin në mënyrë perfekte, me tre fitore nga tri ndeshje në La Liga, bashkë me Athletic Bilbaon janë të vetmet skuadra me bilanc të plotë.
Dhe ky sukses është arritur pa ndihmën e Raul Asencio, i cili nuk ka luajtur asnjë minutë deri tani, që pas paraqitjes së dobët në ndeshjen ndaj Paris Saint-Germain në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube.
Xabi Alonso duket se ka humbur besimin tek Asencio, pavarësisht se ky i fundit ishte titullar i rregullt gjatë sezonit të kaluar. Për pasojë, lojtari mund të jetë i gatshëm për t’u transferuar.
Sipas Diario AS, Besiktas ka shfaqur interes konkret për 22-vjeçarin dhe po përpiqet të përfitojë nga situata e krijuar, për ta transferuar në Stamboll përpara mbylljes së afatit kalimtar në Turqi.
Megjithatë, vetë Asencio nuk ka ndërmend të largohet nga Real Madridi.
Ai e konsideron këtë klub si "dashurinë e jetës", dhe ashtu siç ka ndodhur më parë me lojtarë si Nacho Fernández, është i vendosur të qëndrojë dhe të luftojë për vendin e tij, pavarësisht se aktualisht nuk është pjesë e planeve të trajnerit./Telegrafi/



















































