Pas një fitoreje historike që ndezi shpresat e tifozëve, Shkëndija vazhdon rrugëtimin e saj në UEFA Ligën e Konferencës me një paraqitje të jashtëzakonshme në Shkup, njofton Telegrafi.

Pas triumfit të madh ndaj Slovan Bratislavës me rezultat 2:0, në konferencën për shtyp ka folur trajneri Jeton Beqiri, i cili ka vlerësuar paraqitjen e skuadrës dhe ka dhënë pritshmëritë për kualifikimin në raundin tjetër të garës.


“Ishte një paraqitje shumë e mirë e skuadrës sonë. Futbollistët punuan me shumë seriozitet dhe ndoqën çdo detyrë që kishim planifikuar para ndeshjes, pasi kishim bërë analizë të stilit të lojës së Slovanit. Jam i kënaqur me lojën dhe fitoren, por do të kisha dashur të shënonim edhe më shumë gola, pasi krijuam raste të pastra,” tha Beqiri.

Trajneri gjithashtu theksoi se ëndrra evropiane nuk është siguruar ende: “Ne ende nuk kemi siguruar pranverën evropiane, pasi na pret edhe një ndeshje dhe gjithçka varet nga rezultatet e tjera. Por kam shpresë dhe besoj se skuadra do të japë maksimumin edhe në ndeshjen e fundit.”

Ndeshja e fundit e fazës së grupeve do të luhet të enjten e ardhshme, më 19 dhjetor, kur Shkëndija udhëton në Qipro për t’u përballur me AEK Larnakën, e cila mban pozicionin e tretë në grup.

Fitorja ndaj Slovan Bratislavës jo vetëm që ngjiti Shkëndijën në zonën e play-off-it, por gjithashtu forcoi pozitat e klubit në UEFA dhe i sjell 400 mijë euro bonus. /Terlegrafi/

telegrafi sport app