Shkëndija po i mbyll në ritëm përgatitjet për sfidën e nesërme ndaj Slovan Bratislavas, ndeshje që zhvillohet në kuadër të xhiros së pestë të UEFA Ligës së Konferencës. Kuqezinjtë zhvilluan seancën e fundit stërvitore, ndërsa dueli do të luhet të enjten në arenën “Todor Proeski” me fillim nga ora 18:45, njofton Telegrafi.

Trajneri Jeton Beqiri u shpreh optimist para përballjes, duke theksuar se Shkëndija ka ende gjasa reale për të synuar kualifikimin.
“Mendoj se kjo është mundësia e parafundit për të qëndruar në garë për mesin e 24 skuadrave që vazhdojnë më tej. Kundërshtari është shumë cilësor, vitin e kaluar luajti edhe në grupet e Ligës së Kampionëve, por në Shkup gjithmonë kemi paraqitje pozitive. Shpresoj që të shprehemi në mënyrën më të mirë dhe besoj se kemi të gjitha mundësitë për të marrë një rezultat që na mban në lojë deri në ndeshjen e fundit.”


Beqiri shtoi se pavarësisht mungesës së fatit në dy ndeshjet e fundit, ekipi mbetet plotësisht brenda objektivave.
“Skuadra ka dhënë shumë më tepër sesa ka marrë. Por rëndësi ka që jemi ende në garë dhe që Shkëndija, në mes të dhjetorit, vazhdon të luajë në Evropë. Do të bëjmë maksimumin që të sigurojmë rezultate pozitive në këto dy ndeshje të mbetura.”

Edhe kapiteni Besart Ibraimi ndau të njëjtin entuziazëm para sfidës.“Kemi shkruar histori këtë vit dhe të gjithë jemi të kënaqur, por nuk duhet të ndalemi këtu. Nesër duhet të japim maksimumin për ta fituar ndeshjen dhe pse jo, për t’u kualifikuar më tej. Fakti që të gjitha ekipet janë në pushim, ndërsa ne luajmë në Europë, ndikon, por na jep edhe më shumë motiv. Në dy ndeshjet e fundit fati nuk ishte me ne, por besoj se me pak më shumë fat nesër mund ta marrim rezultatin që duam.”

Shkëndija synon triumfin e madh për të mbajtur gjallë ëndrrën evropiane në një sezon historik për klubin. /Telegrafi/

telegrafi sport app