LAJMI I FUNDIT:

Beqaj: Shqipëria duhet të vazhdojë tutje

Beqaj: Shqipëria duhet të vazhdojë tutje

Portieri i Kombëtares shqiptare Arjan Beqaj nuk do të luajë me Maltën për shkak të lëndimit, ndërsa pohon se ekipi nuk duhet të ndalet te mungesat, sepse ka lojtarë të tjerë.

“Rrezikoj të qëndroj gjithë sezonin jashtë, nëse lëndohem përsëri. Do të jem pranë kombëtares për t’i bërë të ditur trajnerit problemin që kam”. Me një ton zëri mjaf të ulët, portieri i kombëtares Arjan Beqaj, ka konfirmuar dje nëpërmjet linjës telefonike për “Sportin shqiptar”, se e ka thuajse të pamundur të luajë në ndeshjen eliminatore me Maltën.

Përballja e 4 nëntorit të vitit 2008 kundër Panathinaikosit, e vlefshme për Ligën e Kampioneve, është e fundit që portieri kuqezi ka qenë në fushë për skuadrën e tij, Anorthosis. Si asnjëherë tjetër, 33-vjeçari po kalon një periudhë mjaft të errët, kjo si pasojë e dëmtimeve të shpeshta.

Fillimisht, Beqaj ndrydhi gishtin e dorës së majtë, ndërsa më pas goditja i erdhi në këmbë. As terapitë e shumta që kreu në Belgjikë me fizioterapistin e kombëtares, Stijn Vandeburke, nuk mundën ta kthenin portierin në gjendjen e tij optimale. Por sikur të mos mjaftonte kjo, ai e lëndoi përsëri këmbën gjatë një seance stërvitore me Anorthosisin.


Tashmë ka 10 ditë që po stërvitet rregullisht, por frika tek ai ekziston. Nuk pranon kurrsesi të dorëzohet dhe ka kërkuar që të jetë në Maltë pranë skuadrës, qoftë edhe për ta mbështetur moralisht. Megjithatë, titullari i kombëtares thotë se Shqipëria nuk duhet të ndalet te mungesat, sepse ka lojtarë të tjerë.

Duke folur për portën, ai ndër të tjera theksoi se me (zëvendësuesin e tij) Isli Hidin gjithçka është e sigurt. Për më tej, ja si u shpreh Beqaj në intervistën për “Sportin shqiptar”.

– Arjan, kur duhen edhe tri ditë nga ndeshja me Maltën, mund të na thoni cila është gjendja juaj. Keni mundësi të aktivizoheni të mërkurën, apo jo?

– Siç dihet, unë kam një kohë të gjatë pa luajtur. Aktualisht, nga gjendja fizike jam mirë, sepse u bëra 10 ditë që po stërvitem rregullisht me grupin, por gjithsesi frika ekziston. Do të vij në Maltë, për të biseduar me trajnerin Ari Han. Kam pësuar një dëmtim shumë të keq në muskulin e këmbës, dhe nëse lëndohem përsëri rrezikoj të qëndroj gjithë vitin pa luajtur. Tani për tani, kjo është gjendja, pra më duhet edhe njëfarë kohe për të qenë plotësisht i gatshëm. Një mundësi ishte të luaja sot (dje) me Anorthosisin, por mund të rrezikoja shumë. Nesër (sot) do të jem pranë ekipit në Maltë dhe do të flas më gjerësisht me trajnerin, por shpresat për të qenë në lojë, thuajse janë zero. Më vjen keq, por dëmtimet ndodhin në futboll dhe duhet t’i pranojmë.

– Duke qenë se ju jeni në dyshim, trajneri Han këtë herë grumbulloi tre portierë. Si titullar i kuqezinjve, ç’mund ta na thoni për zëvendësuesit tuaj, Hidi dhe Ujkani?

– Unë mund të them me bindje të plotë se porta e Shqipërisë është e sigurt, edhe pa mua. Eshtë fakt që Isli Hidi ka dhënë prova të mira, kështu që në këtë aspekt nuk besoj se do të ketë diçka mangët me Maltën. Si Hidi, ashtu dhe Ujkani janë dy portierë shumë të mirë, që e meritojnë të luajnë.

– Të kalojmë te ndeshja. Kundërshtari ynë, Malta, e shikon Shqipërinë si mundësinë e madhe për të fituar. Ç’mendoni për këtë?

– Natyrisht është e drejta e tyre ta mendojnë këtë, por kjo vlen edhe për ne. Mendoj se edhe ekipi ynë këtë ndeshje e shikon si ndeshjen e “jetës”, nëse mund të shprehem kështu. Ne duhet të fitojmë patjetër dhe them se do t’ia arrijmë, pasi jemi më mirë se Malta.

– Megjithatë, edhe në ndeshjen e parë në “Qemal Stafa”, ku triumfuam 3-0, Malta ua bëri lojën shumë të vështirë, teksa goli i parë është shënuar vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë?

– Mendoj se ndeshja e parë nuk është një pasqyrim, sepse tani është krejtësisht një ndeshje tjetër. Si çdo skuadër, edhe Malta në fushën e vet do të kërkojë më të mirën. Po të kemi parasysh ndeshjen që ata humbën me Portugalinë, përtej rezultatit të thellë 4-0, mund të them se zhvilluan një lojë shumë të mirë. Eshtë një ekip që ka dy-tre lojtarë cilësorë dhe që mund të të hapin punë. Unë besoj se ne do të jemi të përqendruar, për t’i neutralizuar këta lojtarë, dhe nga ana tjetër të shënojmë sa më shpejt.

– Por pa dy titullarët, Cana dhe Lala, duket se hapet një “gropë” në mesfushë. Ju si do ta konsideronit mungesën e tyre?

– Natyrisht, ata janë lojtarët kryesorë për ne. Gjithsesi, unë mendoj se ekipi nuk duhet të ndalet te mungesat. Ka lojtarë të tjerë, të cilët jam i bindur se do t’i zëvendësojnë si duhet. Jam optimist, sepse edhe lojtarët e tjerë, që kanë qëndruar në stol, në momentin që u është dhënë shansi kanë treguar që dinë të jenë rezultativë.

– Si do ta shpjegonit çështjen e mentalitetit të skuadrës sonë, kur me ekipet e ashtuquajtura të vogla, gjithnjë ka hasur vështirësi?

– Mendoj se shumë ekipe në botë e kanë një problem të tillë, jo vetëm ne. Eshtë fakt që ka të bëj shumë edhe emri i kundërshtarit, i cili nuk të motivon aq sa duhet. Tani nuk besoj se kjo do të ndikojë në Maltë, sepse është ndeshje evështirë dhe aq më tepër jashtë fushe.

Për ëndrrën botërore: Gjithçka e mundur

Arjan Beqaj e ka cilësuar një fillim të ri për kombëtaren shqiptare barazimin historik të arritur me Portugalinë në transfertë. I pyetur për ëndrrën që kanë gjithë shqiptarët për kualifikimin në botëror, portieri kuqezi deklaroi se gjithçka është e mundur, duke iu referuar këtu, edhe rezultatit pozitiv në ndeshjen e fundit me portugezët.

“Për momentin është shumë e rëndësishme fitorja në Maltë. Nëse marrim tri pikë, kalojmë përsëri në krye të grupit, çka është një gjë shumë e mirë për moralin e skuadrës, sepse më pas presim Hungarinë në Tiranë. Unë mendoj se në futbollin e sotëm çdo gjë është e mundur. Kush mendonte se Shqipëria mund të merrte pikë në Portugali, madje edhe me 10 lojtarë në fushë? Barazimi që ne arritëm aty, mund ta cilësoj një fillim të ri për futbollin shqiptar. Siç e thashë edhe më lart, gjithçka është e mundur, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se në grupin tonë ka ekipe të mira, që në përbërje kanë shumë lojtarë cilësorë. Gjithsesi, ne duhet të bëjmë maksiumin deri në fund të edicionit, për të kapur një vend sa më të mirë,”- ka thënë portieri kuqezi, që deri më tani ka luajtur 37 ndeshje me kombëtaren.

Kujtojmë që Beqaj është shpallur futbollisti i huaj më i mirë i vitit 2008 në Qipro, ku pati shumë suksese me Anorthosisin, ekipin kampion që luan prej dy vitesh e gjysmë.

Në trend Sport

Më shumë
Super gol i Edon Zhegrovës përballë PSG-së

Super gol i Edon Zhegrovës përballë PSG-së

Ligue 1
Kylian Mbappe me dy gola në ‘Santiago Bernabeu’, Real Madridi kthehet te fitorja

Kylian Mbappe me dy gola në ‘Santiago Bernabeu’, Real Madridi kthehet te fitorja

La Liga
U përball me të dy ekipet, trajneri i Valladolidit tregon dallimin mes Real Madridit dhe Barcelonës

U përball me të dy ekipet, trajneri i Valladolidit tregon dallimin mes Real Madridit dhe Barcelonës

La Liga
Ilir Daja largohet nga Ballkani, përshëndetet me lojtarët pas ndeshjes me Malishevën

Ilir Daja largohet nga Ballkani, përshëndetet me lojtarët pas ndeshjes me Malishevën

Superliga
Nga lavdërimet që mori nga Lineker te foto e festës me Icardin: Si ishte bërë hit në rrjetet sociale para disa vitesh Almazbekov, transferimi më i Llapit

Nga lavdërimet që mori nga Lineker te foto e festës me Icardin: Si ishte bërë hit në rrjetet sociale para disa vitesh Almazbekov, transferimi më i Llapit

Superliga
Notat e lojtarëve, Juventus 0-0 Roma: Mbrëmje e mbrojtjeve

Notat e lojtarëve, Juventus 0-0 Roma: Mbrëmje e mbrojtjeve

Serie A
Kalo në kategori