LAJMI I FUNDIT:

Ministri Bekteshi: Janë hequr të gjitha barrierat për import dhe eksport me Kosovën

Ministri Bekteshi: Janë hequr të gjitha barrierat për import dhe eksport me Kosovën

Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Kreshnik Bekteshi, sot në konferencë për shtyp është deklaruar në lidhje me barrierat tregtare me Kosovën dhe masat të cilat u vendosën nga të dy shtetet.

Bekteshi tha se është arritur zgjidhje mes dy shteteve, duke shtuar se janë hequr masat e vendosura nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova, ndaj njëra tjetrës për eksportin e mjaltit dhe patateve, njofton Telegrafi Maqedoni.


“Në Bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Ekonomisë të Kosovës kemi gjetur zgjidhje, dhe sot jemi informuar nga ata se masat sa i përket eksportit të patateve dhe mjaltit nga Maqedonia e Veriut për në Kosovë janë hequr krejtësisht dhe ne si qeveri në kuadër të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) kemi marrë vendim që Kosovën ta vendosim në listën e shteteve që mund të eksportojnë në shtetin tonë ikër dhe produkte të peshkut, me të vetmin qëllim që të thellojmë bashkëpunimin mes dy vendeve. AUV e Kosovës e ka dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm sa i përket programit për monitorim aktiv dhe pasiv të produkteve të peshkut dhe bazuar në këtë program AUV e Maqedonisë ka marrë vendim që të lejojë importin nga Kosova të këtyre produkteve”, tha mes tjerash Bekteshi.

Ai shtoi se masat e vendosura nga Maqedonia e Veriut, nuk kanë qenë masa vetëm për Kosovën, por për gjitha shtetet fqinje që nuk i kanë plotësuar standardet.

Kosova vendos masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut
Lexo po ashtu Kosova vendos masa reciprociteti ndaj Maqedonisë së Veriut

Bekteshi gjithashtu theksoi se Maqedonia e Veriut e ka prioritet të krijojë zonë ekonomike të përbashkët, me qëllim që të rritet këmbimi tregtar dhe të tërhiqen investitorë të huaj.

Kujtojmë se para dy javësh, ministri i Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, Endrit Shala, ka vendosur masa reciproke ndaj mjaltit dhe patateve të Maqedonisë Veriore, për shkak se kjo e fundit është duke aplikuar barriera tarifore ndaj produkteve të vendit.

Kosova dhe Maqedonia e Veriut përpiqen të gjejnë zgjidhje për barrierat tregtare
Lexo po ashtu Kosova dhe Maqedonia e Veriut përpiqen të gjejnë zgjidhje për barrierat tregtare

Një javë pas, ministri Shala dhe Bekteshi janë pajtuar që Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, t’i dërgoj një raport Agjencisë së Ushqimit të Maqedonisë së Veriut me analiza nga programi adekuat për monitorimin e produkteve. /Telegrafi/