Valencia mori një fitore të madhe në udhëtim ndaj Real Madridit, duke mposhtur ‘Los Blancos’ me rezultat 2-1 në ‘Santiago Bernabeu’.

Kjo fitore padyshim se do t’i shërbejë ‘Laraskave’ në misionin e tyre për të siguruar mbijetesën këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll.


Heroi i Valencias në këtë sfidë padyshim ishte portieri Giorgi Mamardashvili i cili priti një penallti të Vinicius Junior në minutën e 12-të.

Pas ndeshjes, ai dha një deklaratë interesante për gazetarët, duke thënë se kishte vendosur një bast me Viniciusin.

Reprezentuesi gjeorgjian tha se ai kishte vendosur një bast prej 50 eurosh me brazilianin, duke qenë i bindur se do t’i priste penalltinë.

Megjithatë, ai ka mbetur ‘i zhgënjyer’ nga ky bast pasi sipas tij Viniciusi nuk e ka paguar atë.

“Kam vënë bast prej 50 eurosh me Vinicius se do t’i prisja penalltinë të cilën e ekzekutoi, por ai nuk m’i ka dhuruar paratë”, ka thënë Mamardashvili.

Pas kësaj fitore Valencia tashmë ka shkuar në kuotën e 34 pikëve në kampionat, teksa Real Madridi ka marrë një goditje të fortë në garën për titull ndaj Barcelonës./Telegrafi/

telegrafi sport app