Bayer Leverkusen ka marrë një fitore të madhe dhe mjaft të rëndësishme në udhëtim te Manchester City, duke triumfuar me rezultat 2-0 në ndeshjen e xhiros së pestë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.

Gjermanët treguan efikasitet, disiplinë dhe pjekuri taktike, duke ndëshkuar Man Cityn në momentet kyçe të takimit.


Ndeshja nisi me një ritëm të lartë. Manchester City pati rastin e parë serioz në minutën e 5-të, kur Reijnders gjuajti bukur në të djathtën, por Flekken reagoi në mënyrë fantastike dhe e devijoi topin në këndore.

Bayer Leverkusen u përgjigj shpejt dhe në minutën e 23-të gjeti golin e epërsisë. Alejandro Grimaldo realizoi një gol të shkëlqyeshëm me një goditje të menjëhershme nga skaji i zonës, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të djathtë për 0-1.

Man City tentoi të kthehej në lojë, por portieri Flekken vazhdoi të ishte hero i skuadrës gjermane, duke ndalur çdo tentim të vendasve deri në fund të pjesës së parë.

Pjesa e dytë nisi me tri zëvendësime nga Pep Guardiola, por ndryshimet nuk sollën efektin e pritur.

Në minutën e 54-t, Bayer Leverkusen shënoi golin e dytë. Ibrahim Maza dha një asistim perfekt me një harkim të harkuar, ndërsa Patrik Schick e finalizoi me kokë për 0-2, duke shtangur stadiumin "Etihad".


Man City u përpoq të reagonte dhe rrezikoi disa herë me Haaland, Cherki dhe Reijnders, por Flekken vazhdoi të ishte mur i pakalueshëm.

Cherki pati dy raste të mira në minutat 84’ dhe 87’, por portieri holandez i Leverkusenit prapë ishte i pakalueshëm.

Man City mbetet në vendin e 6-të me 10 -ikë, ndërsa Bayer Leverkusen ngjitet në vendin e 13-të me 8 pikë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore



telegrafi sport app