Njësiti i Krimeve Ekonomike është duke e zhvilluar një bastisje në Ministrinë e Bujqësisë, gjegjësisht në Agjencinë Zhvillimin e Bujqësisë.

Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga Prokuroria Speciale, ndërsa në vendin e ngjarjes është edhe prokurori Admir Shala.


“Ju njoftojmë se Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar bastisje në katër lokacione. Bastisjet po zhvillohen mbi dyshimet për Fabrikën për mbetje shtazore. Për detaje të tjera, publiku do të njoftohet gjatë ditës”, thanë për Telegrafi.

Lajmi për bastisje është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, bazuar në urdhëresën e Gjykatës kompetente ka filluar zbatimin e një urdhërkontrolli në Prishtinë, mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, mund të bëhen publike informacione shtesë”, thanë për Telegrafin nga Policia e Kosovës.

Ndërkaq, nga Ministria e Bujqësisë thanë për Telegrafin se janë në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë.

“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies".

Ndryshe, një ditë më parë anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Ismajli ka denoncuar siç tha një skandal milionësh të ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, i cili pa ankand publik ia ka dhënë pronën publike me qira, impiantin e mbetjeve shtazore, kompanisë “LIP KS & IT SH.P.K” për 20 vjet.

Ismajli, në një konferencë për media, akuzoi ministrin Peci se ka shkelur Ligjin për Pronën Publike, ku parashihet që pronat publike të jepen me qira vetëm përmes ankandit publik dhe atë jo më shumë se për 15 vjet, përveç në rastet kur merret vendim në Kuvend. /Telegrafi/