Bashkëpunimi ekonomik nxit marrëdhëniet Kosovë-Rumani

Kryetari i Aleancës së Biznesit të Kosovës Agim Shahini e ndoqi takimin e nivelit të lartë të Gjeografisë Ekonomike të Rumanisë në Bukuresht më parë këtë muaj dhe nënshkroi një marrëveshje partneriteti dhe bashkëpunimi me Mihai Nita, president i Urdhrit të Industrialistëve të Rumanisë.
Shahini është i kënaqur me interesat e zyrtarëve rumunë në tregun e Kosovës dhe ka besim se mundësia është realiste.
"Ishte [në] interesin e popullit dhe biznesit rumun ... që [të] vendoste marrëdhënie ekonomike e tregtie me Kosovën", tha Shahini për SETimes.
Marrëveshja pritet të sjellë rezultate konkrete, duke tërhequr biznese rumune në Kosovë nëpërmjet politikave të favorshme të vendit.
"Në qoftë se i hedhim një sy tregut të BE-së, e kuptojmë se dallimi në standardet e jetesës në Rumani është më pranë atij në Kosovë sesa në disa vende të BE. Lidhur me këtë, prodhimet e Rumanisë mund të jenë lehtazi tërheqëse për tregun e Kosovës dhe (anasjelltas)", tha Shahini.
Ekspertët rumunë thanë se tregu prej 1.8 milionë i Kosovës është tërheqës për investitorët.
"Kosova përfaqëson një mundësi për investime në ndërtim, shitje me pakicë, turizëm, industri dhe bujqësi", tha për SETimes Bogdan Aron, një planifikues strategjik dhe këshilltar me Qendrën e Biznesit Karpathia, e cila organizoi takimin e nivelit të lartë.
Në kuadrin e nismës, në Prishtinë do të hapet një Qendër rumune e Biznesit në Kosovë.
Qendra do të bashkërendojë dhe mbështesë me personel të specializuar të gjitha mundësitë e bashkëpunimit midis sipërmarrësve privatë dhe kompanive nga të dy vendet, thanë zyrtarët.
Shoqata e Biznesit të Kosovës do të mbikëqyrë procesin dhe do të punojë si një ndërmjetëse midis tregjeve të biznesit. Shahini tha se agjencia ka mbështetjen e ministrisë së jashtme për të krijuar bashkëpunimin ekonomik me Rumaninë, një nga pesë vendet e BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
"Kosova është e vendosur të krijojë marrëdhënie ekonomike e tregtare me të gjitha vendet në rajon, veçanërisht me vendet e Bashkimit Evropian", tha për SETimes Artan Behrami, një zëdhënës për Ministrinë e Jashtme të Kosovës. /Telegrafi/












































