Bashkëpunim për barazi gjinore, Komuna e Gjilanit e angazhuar në ndërtimin e një shoqërie të barabartë

Komuna e Gjilanit ka vazhduar të tregojë angazhim të fortë për avancimin e barazisë gjinore dhe përfshirjen e gruas në jetën shoqërore dhe ekonomike.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, së bashku me zyrtaren e barazisë gjinore, Linditë Salihu, drejtuesit e drejtorive të Arsimit, Zhvillimit Ekonomik dhe Bujqësisë, Shpend Nuhiu, Enver Shabani dhe Bajram Isufi, pritën në një takim të rëndësishëm Luljeta Demollin, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), dhe Vlera Kastratin, këshilltare nga UN Women.
Ky takim u zhvillua në kuadër të monitorimit të zbatimit të Planit Lokal të Veprimit për Barazi Gjinore, një iniciativë e mbështetur nga UN Women në Kosovë.
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për të krijuar një qeverisje më gjithëpërfshirëse, transparente dhe të përgjegjshme ndaj barazisë gjinore.
Nënkryetarja Morina Bunjaku theksoi se Komuna e Gjilanit mbetet e përkushtuar në avancimin e politikave që fuqizojnë rolin e gruas dhe sigurojnë përfshirjen e barabartë të të gjitha grupeve në shoqëri.
Ajo gjithashtu falënderoi QKSGJ-në dhe UN Women për mbështetje të vazhdueshme dhe angazhim të palodhur për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë./Telegrafi/

















































