Basha: Ka nisur asfaltimi në kyçjen e Mazgitit, segmenti pritet të hapet për qarkullim pas orës 17:00


Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka bërë të ditur se kanë nisur punimet e asfaltimit në segmentin rrugor të kyçjes në Mazgit, duke theksuar se ndërhyrja është realizuar për të përmirësuar sigurinë e qarkullimit në këtë pjesë të rrugës.
Basha ka njoftuar se pas vizitës në Marec, ka inspektuar edhe punimet që po zhvillohen në kyçjen e Mazgitit, ku ka filluar shtrimi i asfaltit.
"Nga Mareci vazhdova te kyçja në Mazgit, ku sot filluam asfaltimin e këtij segmenti rrugor", ka deklaruar ai.
Sipas ministrit, për shkak të gjendjes së rënduar të rrugës, institucionet kanë ndërhyrë fillimisht me një sanim të përkohshëm, derisa të kryhen analizat e nevojshme për problemet që lidhen me ujërat nëntokësore.
"Duke marrë parasysh gjendjen e rënduar të kësaj pjese të rrugës, kemi ndërhyrë me një sanim të përkohshëm për të garantuar sigurinë e qarkullimit, derisa të realizohet një analizë e detajuar për problemin e ujërave nëntokësore që po dëmtojnë trupin e rrugës", ka thënë Basha.
Ai ka bërë të ditur se punimet po zhvillohen sipas planifikimeve dhe se segmenti pritet të rihapet për qarkullim gjatë ditës.
"Punimet e asfaltimit po zhvillohen sipas planit dhe segmenti pritet të hapet për qarkullim pas orës 17:00, ndërsa vendosja e sinjalizimit horizontal do të ekzekutohet gjatë fundjavës", ka theksuar ministri.
Në fund, Basha ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin dhe durimin e treguar gjatë realizimit të punimeve në këtë segment rrugor. /Telegrafi/









































