Barcelona njofton për operimin e Ter Stegen, gjermani pritet të mungojë gjatë

Portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, iu nënshtrua me sukses një operacioni për të trajtuar problemet e vazhdueshme në pjesën e poshtme të shpinës.
Këto shqetësime e kanë mbajtur jashtë fushave që nga fillimi i fazës përgatitore portierin gjerman.
Ndërhyrja kirurgjikale u krye të martën nga Dr. Amelie Léglise në Klinikën Sportive Bordeaux Merignac, nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klubit.
Barcelona konfirmoi në një deklaratë zyrtare se operacioni shkoi mirë dhe se rikuperimi i lojtarit do të përcaktojë kohën e rikthimit të tij në fushë.
Me të mbërritur në aeroportin El Prat, Ter Stegen komentoi mbi raportimet për tensione me klubin dhe spekulimet për heqjen e shiritit të kapitenit.
Portieri gjerman i hodhi poshtë këto zëra, duke theksuar se marrëdhënia e tij me Barcelonën mbetet e pandryshuar dhe shumë e mirë.
I pyetur për gjendjen shëndetësore, ai iu përgjigj me humor: “Nëse të duhet një operacion, do të thotë se diçka nuk shkon, apo jo?”, deklaroi Ter Stegen duke qeshur.
Ndërsa vetë Ter Stegen përmendi më herët një rikuperim prej rreth tre muajsh, mjekët vlerësojnë se mungesa mund të zgjasë katër deri në pesë muaj. /Telegrafi/














































