Qendërmbrojtësi i Interit, Alessandro Bastoni, është shndërruar në një objektiv konkret për Barcelonën dhe Liverpoolin, ndërsa vetë lojtari tashmë ka bërë të qartë dëshirën e tij për hapin e radhës në karrierë.

Kontrata e Bastonit me Interin është e vlefshme deri në vitin 2028, por kjo nuk i ka ndalur klubet e mëdha të Evropë që të pozicionohen për një lëvizje të mundshme në verën e ardhshme, në një merkato ku pritet kërkesë e madhe për qendërmbrojtës të nivelit të lartë.


Në këtë kontekst, Bastoni pritet të ketë oferta konkrete në tavolinë, ndërsa edhe Interi do të jetë i gatshëm të dëgjojë propozime serioze financiare. Mes gjithë këtyre spekulimeve, italiani ka sinjalizuar qartë preferencën e tij.

Aktualisht, në garë janë dy opsione kryesore. Liverpooli ka shfaqur interes të fortë, sidomos pas dështimit për të siguruar shërbimet e objektivit kryesor Marc Guehi, i cili përfundoi te Manchester City.

Megjithatë, sipas “AS”, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, është plotësisht i informuar se Alessandro Bastoni e dëshiron një transferim te “Camp Nou”.

Problemi kryesor për katalanasit mbetet bindja e Interit, pasi klubi zikaltër kërkon një shumë të konsiderueshme financiare, ndërkohë që Barcelona vazhdon të operojë nën kufizime të forta buxhetore.

Bastoni ka kaluar pothuajse një dekadë te Interi dhe konsiderohet si një nga qendërmbrojtësit e majtë më të kompletuar në Evropë.

Edhe pse publikisht ka deklaruar se është i lumtur në Itali, burime pranë lojtarit sugjerojnë se ai do të ishte i hapur për një sfidë të re, nëse paraqitet një projekt bindës sportiv.

Barcelona e vlerëson shumë profilin e tij dhe e sheh si një përshtatje ideale stilistike për filozofinë e lojës së klubit. Megjithatë, Interi nuk është nën asnjë presion për ta shitur, për shkak të kohëzgjatjes së kontratës së Bastonit.

Për këtë arsye, zikaltërit kanë vendosur një çmim rreth 70 milionë euro. Me Liverpoolin të gatshëm të investojë fuqishëm për ta përforcuar repartin defensiv, Barcelona mund të detyrohet të lëvizë shpejt nëse dëshiron ta fitojë garën për nënshkrimin e Alessandro Bastonit./Telegrafi

telegrafi sport app