LAJMI I FUNDIT:

Barbarët e shekulli XXI

Barbarët e shekulli XXI

Synimet politike të organizatës, të klasifikuar si terroriste në mbarë globin, ISIS, dhe metodat mbi skllavërinë dhe ekzekutimin, qoftë të komuniteteve tjera fetare qoftë kundërshtarëve politikë, ka riaktualizuar pesimizmin për një ndryshim pozitiv të mundshëm në regjionin e Lindjes së Mesme. I dhanë shuplakë fytyrës të gjitha shpresave që diçka e mirë mund të ngjajë në një periudhë afatmesme. Ndër popuj kanë zgjuar kujtime të fjetura dhe kanë bërë që shumë njerëz të largojnë pluhurin mbi librat historikë të vëna në raftet e tyre, në kërkim të ngjashmërive nga e kaluara.

Secili popull në historinë e vet është ndeshur me akte të ISIS-it të sotëm, qoftë në këtë shekull, në Mesjetë apo në primitivizëm. Është një emërues i përbashkët: vetëdija e ngritur njerëzore i ka klasifikuar akterët e veprave të tilla si njerëz barbarë duke i radhitur në faqet më të zeza të historisë. Sot kemi të bëjmë me ISIS-in: barbarët e shekullit XXI.


Me shpalosjen e programit të tyre, disa muaj më parë, është publikuar edhe harta e mbretërisë që duan ta vënë në jetë. Një territor që fillon nga Lindja e Largët dhe përfundon diku në mesin e Spanjës. Bazuar në metodat që kanë aplikuar së fundi, në lidhje me trajtimin e komuniteteve fetare tjera, kundërshtarëve politikë dhe njerëzve që e shohin ndryshe islamin, bota do të ketë një ndryshim demografik të thellë.

Forma e trajtimit të jazidive dhe të tjerëve tregon që në rast të jetësimit të synimeve territoriale atëherë gjithçka do të jetë më ndryshe. Supozojmë se fillimisht goditën pakicat krishtere në vendet me shumicë islame duke filluar nga tetë milionë koptë në Egjipt, 1.5 milionë në Liban e deri tek krishterët shqiptarë të Ballkanit dhe pastaj zhduken apo konvertohen dhunshëm të gjithë: grekët, izraelitët, spanjollët, bullgarët, indianët, rumunët, hungarezët, serbët, kroatët, sudanezët jugorë, sllovenët, austriakët dhe shumë popuj tjerë. Në fund, pasi të kenë mbaruar me ta, shpatat e tyre kthehen drejt Iranit dhe gjithë komunitetit shiit në mbarë globin sikurse edhe ndaj mendimeve më liberale në vetë sojin e tyre.

Nuk është ky zbërthim, kjo është saktësisht program i promovuar nga vetë organizata, që shihet qartazi në hartat e tyre të publikuara: synojnë dhunimin e të drejtës së mbi dy miliardë njerëzve në tokë.

Deri vonë bota ka qenë nën kërcënim nga elementë dhe forca të strukturuara që kanë pasur qëllime të dëmshme, por disi edhe në formë të pjesshme të realizueshme nëse nuk do të viheshin në kontroll ose lokalizoheshin shpejt nga forcat më madhore politike. Për dallim nga to, ISIS dhe organizatat e ngjashme me të, përbëjnë një grumbull organizatash që po aq sa janë ekstreme janë edhe naive. Për secilin njeri që vetëm pak e vë në përdorim logjikën, do të ishte e pakapshme dhe i papranueshëm realizimi i një projekti të tillë.

Nëse një ditë prej ditësh, mbijnë intelektualë të rinj në që lidhin fushëveprimin e tyre me religjionin dhe japin propozim themelimin e një organizate që do të kishte si model Bashkimin Evropian, në mesin e vendeve me besim islam në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, atëherë sado i vështirë që do të dukej realizimi i saj, megjithatë nuk do të cilësohej si projektpropozim jashtë normales së mendimit të shëndoshë. Mirëpo, themelimi i mbretërive me formë siç ISIS dhe organizatat simotra flasin sot, është fyerje e inteligjencës për të gjithë njerëzit e besimit islam. Sinqerisht, nëse do t’më bëhej pyetja në ndonjë kuiz eventual nëse janë naivë, të papjekur apo armiq të Islamit, unë do ti rrumbullakoja të tria.

Përveç shpalosjes së një projekti të pazbatueshëm edhe interpretimi i rregullave fetare tek ta është totalisht i gabueshëm. Është thënë e stërthënë edhe nga njerëz që kanë përfunduar studimet për fenë, por edhe njerëz që kanë njohuri të mira për të. Krejt kjo krijon një pasqyrë të tmerrshme jo vetëm për besimin, por edhe për pjesëtarë të popujve të asaj zone, sepse në fund të fundit nga aty lindin njerëz të tillë. ISIS nuk mund të mbijë diku përveçse aty ku vetë mentaliteti popullor e mundëson.

Situatat e fundit të prodhuara jashtë epiqendrës së problemit, në lidhje me aktivizimin e disa individëve nga hemisfera perëndimore dhe rreshtimi në organizata të klasifikuara si terroriste përbëjnë një lloj shqetësimi. Për sigurinë popullore gjithsesi, mirëpo edhe për daljen në sipërfaqe të një shtrese të depatriotizuar që përdhunon vlerat kombëtare paraislame. Momente këto që të kthejnë para syve imazhet e rrënimit të shtatoreve dhe objekteve tjera arkeologjike në zonat e thella të Afganistanit.

Përveç dhunimit të së drejtës së dy miliona njerëzve, nëse fuqia do të ishte ne dorën e tyre bota do të trishtohej nga shembja e piramidave në Egjipt, tempujve në Turqi, amfiteatrove në Shqipëri dhe shumë veprave tjera me vlerë për njerëzimin. Gjithsesi këta shembuj merren jo për të parashikuar ngjarje të tilla, sepse njerëzia dhe bota e qytetëruar nuk do të lejojë asnjëherë, mirëpo jepen qëllimisht për të treguar nivelin e tyre ku ndodhën.

Për disa njerëz, është bërë e zakonshme që çdo veprim të rëndë, grupim i dyshimtë dhe çfarëdo që ndërlidhet me terrorizmin të mbështillet me petkun e konspiracioneve. Shoh disa njerëz qe ekzistencën e ISIS-it e shohin si krijim te financuar nga vendet perëndimore ose Izraeli. Sa e kane gabim është shumë e qartë. Le t’i hapin librat në histori dhe gjejnë shumë ISIS-a tjerë në kohën kur nuk ekzistonte as Amerika e as Izraeli në formë shteti. Rryma të tilla kishte edhe në kohën kur vetë Perandoria Osmane ishte superfuqia e regjionit dhe nuk kishte asnjë interes për t’i themeluar dhe mbajtur në fuqi. Përkundrazi ajo bëri përndjekjen e tyre në çdo formë të mundshme.

Tendenca për t’i lënë fajin gjithkujt por jo vetës nuk është e panjohur për njerëzimin. Megjithatë shumë popuj që kanë krijuar shtete të zhvilluara këtë mënyrë së të menduarit ka kohë që e kanë lënë anash. Prezenca e saj ndeshet vetëm ndër kombet që ende nuk e kanë marrë vetën, nuk kanë të qartë se nga ikën njerëzimi dhe janë mbrapa në çdo perceptim. Për ta autokritika është diçka e pashpikur ose e panevojshme, sepse çdo gjë e keqe sipas tyre vjen nga jashtë. Asnjë faj nuk buron nga brenda.

Përderisa në masë të madhe kjo mënyrë e të menduarit ekziston atje, ISIS dhe ISIS-at tjerë do të kenë terren, por jo për të arritur në Spanjë e Vjenë, por vetëm për t’i terrorizuar e munduar po ata banorë aty, të lokalizuar jo më shumë se disa qindra kilometra. Derisa në anën tjetër, popujt tjerë bashkë me botën ecin.