Balluket e holla: kërkojnë pak kujdes, por i japin fytyrës freski

Një model flokësh ideal për ata që duan ndryshime, por jo shumë drastike
Nëse jeni në kërkim të një stili të ri, mund të frymëzoheni nga aktorja Daisy Edgar-Jones, e cila bëri bujë me balluket e holla.
Për një kohë, balluket “perde” ishin obsesioni kryesor i shumë vajzave, por tashmë janë zëvendësuar nga një version i ngjashëm, me ndryshime të lehta. Balluket e holla shpesh duken pak të çrregullta – dhe pikërisht ky është sharmi i tyre. Nuk kërkojnë shumë përpjekje për t’u stilizuar; mjafton një prekje minimale për t’i dhënë fytyrës një pamje të freskët dhe të lezetshme.
Ky model është një interpretim modern i ballukeve klasike, por me shtresa të buta dhe të teksturuara që e kornizojnë fytyrën, duke sjellë një pamje të sofistikuar, por të lirshme. Ndryshe nga balluket e dendura e të rënda, ato janë të lehta, përmes fijeve të holla që lënë ballin lehtësisht të dukshëm.
Kur përshtaten me formën e duhur të fytyrës, balluket e holla theksojnë tiparet, duke tërhequr vëmendjen tek sytë dhe mollëzat. Kështu krijohet një pamje më harmonike dhe e balancuar – ndryshimi ideal për një dukje vjeshtore, transmeton Telegrafi.

“Janë më të shkurtër në qendër dhe gradualisht zgjaten deri në gjatësinë e mollëzave. Veçanërisht i përshtaten fytyrave të rrumbullakëta, pasi i stilizon dhe u jep harmoni, duke e kornizuar fytyrën në mënyrë natyrale”, shpjegon Saly Pérez Conde, stiliste flokësh në sallonin Verónica Puertas në Pontevedra.
Sipas saj, sekreti i ballukeve të holla qëndron tek lehtësia. Fijet e holla dhe jo të dendura krijojnë një efekt spontan e të çlirët, por në fakt çdo detaj është i menduar me kujdes: pak më të shkurtra në qendër dhe më të gjata anash, për të dhënë stil dhe për të kornizuar bukur fytyrën.

/Telegrafi/


















































