LAJMI I FUNDIT:

​Bajrami i njofton Vitinë e Ramadanin me procesin e mësimit online

​Bajrami i njofton Vitinë e Ramadanin me procesin e mësimit online

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia dhe me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, gjatë të premtes kanë vizituar shkollën “Qamil Batalli” në Prishtinë.

Kjo shkollë po shërben si vend-xhirim i ligjëratave për mësimin në distancë për nxënësit e klasave 1-9.


Në njoftimin për media thuhet se gjatë takimit u fol edhe për masat parandaluese për përhapjen e pandemisë COVID-19.

Bajrami gjatë kësaj vizite u shpjegoi bashkëbiseduesve rrjedhën e realizimit të këtij projekti të rëndësishëm për nxënësit e Kosovës.

Ajo theksoi se përkundër situatës së krijuar për shkak të pandemisë COVID – 19, falë punës vetëmohuese të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt, deri në këtë fazë janë arritur rezultate mjaft inkurajuese.

Përveç ofrimit të përmbajtjes mësimore, në përputhje me plan-programet e Kosovës, Bajrami tha se mësimi në distancë po kontribuon në angazhimin e nxënësve, mësimdhënësve dhe prindërve, dhe në këtë mënyrë po ndihmohet edhe përpjekja e gjithmbarshme e institucioneve të Kosovës për mospërhapjen e coronavirusit.

“Gjatë takimit është biseduar edhe për masat parandaluese që janë marrë, respektimi i tyre nga ana e qytetarëve, por edhe për mundësinë e marrjes së masave të reja, në mënyrë që të parandalohet sa më shumë që të jetë e mundur përhapja e infeksionit në vendin tonë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/