“Babai është bashkëpunëtor në krim”, avokati i rastit të Bleona Matës: Hetimet do të na çojnë edhe te i ati

Avokati Idajet Beqiri ka lëshuar një deklaratë të bujshme lidhur me rastin e zhdukjes së Bleona Matës, duke ngritur dyshime se babai i vajzës mund të ketë lidhje në zhdukjen e saj.
I ftuar në emisionin “Ftesë në 5” në Top Channel, Beqiri u shpreh se babai i Matës ka treguar indiferencë për çështjen dhe sipas tij, kjo e bën atë pjesë të “lojës”.
“Fjalët e mia shkojnë edhe për të atin. S’ka treguar kurrë interes për këtë. Për fat të keq, ai është pjesë e lojës. Këtë ju a them unë me bindje. Hetimet do vazhdojnë dhe jam i bindur se shumë shpejtë do shkojmë te foleja e grerëzave. Problemi është që babai del keq shumë në këtë lojë”, tha Beqiri.
Ai gjithashtu komentoi mungesën e reagimit të Bleona Matës pas 15 vitesh, duke nënvizuar se kjo nuk do të thotë se ajo ka ndërruar jetë.
“Për mua është gjallë. Por çdo gjë ndodh në këtë vend. Dikush thotë pse nuk del vajza të flasë. Tani është 21 vjeçe. Në atë moshë, trysnia dhe frika që ka përjetuar mund ta kenë bërë që një pjesë e kujtesës t’i eliminohet. Përdoren dhe medikamente të ndryshme që ta fshijnë kujtesën. Kjo është një enigmë në kuptimin e parë të fjalës. Nuk ka shpjegim të mos reagonte, duhet të reagonte patjetër”, tha Beqiri.
Avokati shtoi se nuk ka prova që mbështesin teoritë se vajza është vrarë nga kafshë të egra dhe theksoi se SPAK-u do të hetojë deri në fund.
Ai gjithashtu përmendi mundësinë që Bleona të ketë jetuar në Greqi dhe më pas të ketë shkuar në Gjermani, duke e bërë të besueshme që ajo vazhdon të jetojë.
“Edhe në Greqi dhe Gjermani një pjesë e konsiderueshme e popullsisë janë shqiptarë. Çdo version është hedhur, por të gjitha teoritë për kafshë që e kanë vrarë janë përralla. Kjo më bën të besoj se vajza jeton”, tha Beqiri.
Hetimet lidhur me zhdukjen e Bleona Matës vazhdojnë nën drejtimin e SPAK-ut, ndërsa shpresat mbeten të drejtuara drejt gjetjes së saj.



















































