Një bend nga Turqia dhe një tjetër nga Kosova, të premten mbrëma, do të performojnë në Kino Lumbardhi si pjesë e programit përmbyllës të muajit maj. Kinemaja e veçantë e Prizrenit do të mbyllet në fillim të muajit qershor për shkak se do të hyjë në fazën e renovimit.

“Më 30 maj prej orës 20:30 do të presim në Kino Lumbardhi si pjesë të programit përmbyllës të muajit maj “Edhe njëherë deri herën tjetër” bendin Baba Zula nga Turqia dhe bendin Gipsy Groove nga Kosova”, thuhet në njoftimin e Fondacionit Lumbardhi.


Në të njëjtën kohë është theksuar se të dyja bendet janë paraqitur disa herë në Kosovë, por se këtë herë “vijnë së bashku për një mbrëmje të mbushur me ritme të gjalla e dinamike të rajonit”.

“Baba Zula sjell magjinë e muzikës psikadelike turke që pikëtakohet me folkorin dhe rock n’roll-in duke shtuar këtu elemente të poezisë, teatrit, traditës, vallëzimit në një festë të jashtëzakonshme audiovizuale. Levent Akman, Murat Ertel, Ümit Adakale dhe Esma Ertel performojnë prej më shumë se 25 vitesh në skena të ndryshme botërore duke sjellë përherë eksperienca krejt të veçanta”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Gjithashtu është bërë e ditur se bendi Gipsy Groove sjellë muzikën rome të ndërthurur me jazz, reggae, funk, ska, drum, bass duke krijuar një atmosferë unike.

“Gipsy Groove mbart në zemër të muzikës së tyre mesazhe të guximshme shoqërore duke synuar ndërgjegjësimin për të drejtat e njeriut, lirinë e lëvizjes, anti-racizmin dhe barazinë gjinore. Thellësisht të rrënjosur në traditën ballkanike, ata synojnë të thyejnë kufijtë e se si muzika mund të kthehet në një mjet për argëtim dhe ndërgjegjësim”, thuhet në njoftim.

Projekti për rivitalizimin e Kinemasë Lumbardhi në Prizren do të realizohet me mjetet nga buxheti i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pasi mbështetja e Bashkimit Evropian ishte anuluar për shkak të masave të Brukselit ndaj Qeverisë së Kosovës, raporton Telegrafi.

Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të publikuar në platformën e-prokurimi vlera e përgjithshme e kontratës për këtë projekt është mbi 976 mijë euro. /Telegrafi/