Site icon Telegrafi

“Avullimi” i 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, këto janë akuzat që rëndojnë mbi Labinot Grudën dhe Kadri Shalën

Në tetor të vitit 2020, nga xhirollogaria e Thesarit të Shtetit ishin “avulluar” 2.1 milionë euro.

Në atë kohë ministrja e Financave, Hykmete Bajrami këtë gjë e bëri të ditur përmes një konference për media ku tha se bëhet fjalë për një vjedhje jo të zakonshme.

Pa dhënë shumë detaje ministrja kishte treguar se bëhej fjalë për 4 transaksione të dyshimta nga Thesari, me vlerë rreth 2.1 milionë eurove që ishin transferuar tek një Operator Ekonomik.

Të arrestuarit për këtë rast ishin Labinot Gruda që kishte kryer transaksionin dhe Kadri Shala, i cili kishte pranuar këto mjete, dhe tashmë dy të dyshuarit që nga ajo periudhë gjendeshin në burg.

Lexo po ashtu Keqpërdoren 2 milionë euro në Thesarin e Shtetit - policia arreston një person, dy të tjerë në arrati

I dyshuari për transaksionin e paligjshëm mbi 2 milionë euro nga Thesari i Kosovës, Labinot Gruda, ka deklaruar në gjykatë se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se pretendimet për këtë shumë parash “nuk kanë të bëjnë aspak” me të, shkruan Telegrafi.

Kurse, Kadri Shala, pronari i kompanisë “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit, të cilës iu ishin bërë transaksion mbi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit disa ditë pasi u zbulua skandali ishte dorëzuar në Policinë e Kosovë.

Dje, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vjedhen e 2.1 milionë eurove në Thesarin e Shtetit.

Sipas njoftimit të Speciales, Gruda akuzohet për katër vepra penale: ”Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë”.

Lexo po ashtu Ngritet aktakuzë ndaj Labinot Grudës dhe Kadri Shalës për vjedhjen e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit

Ndërkaq Kadri Shala akuzohet për tri vepra penale: “‘Shpëlarje e parasë’’, “Ndihma” dhe “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Me kryerjen e këtyre veprave, Gruda dhe Shala akuzohen se kanë dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 2 milionë e 77 mijë e 995 euro.

Për këtë rast, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e katër veturave të cilat janë rrjedhojë e këtij aktiviteti kriminal, shumën e të hollave të cilat janë ngrirë me urdhër të gjykatës, si dhe nga ana e të pandehurve të bëhet kompensimi i humbjes apo dëmit të shkaktuar Buxhetit të Republikës së Kosovës, deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale, ose në të kundërtën, gjykata lidhur me këtë të konfiskojë çdo pasuri të të pandehurve deri në kompensimin e plotë të dëmit të shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version