Avokati Virtyt Ibrahimaga ka reaguar lidhur me situatën e krijuar nga bllokada institucionale dhe debatet rreth përbërjes së Gjykatës Kushtetuese, konkretisht për caktimin e gjyqtarit Radomir Laban si raportues në rastin për rendin kushtetues.

Në një postim në Facebook, ai ka komentuar deklaratat e presidentes Vjosa Osmani, e cila ditë më parë shprehu shqetësime për informacione rreth gjyqtarit Laban, por megjithatë theksoi se ai ishte caktuar gjyqtar raportues.


Sipas Ibrahimagës, bllokada institucionale është shumë më e dëmshme për vendin sesa çdo dyshim për jo-lojalitetin e një gjyqtari të vetëm.

“Bllokada institucionale është më e dëmshme sesa dyshimi për jo-lojalitet shtetëror të një gjyqtari të vetëm të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.

Avokati thekson se antagonizmat e ashpra politike mes partive po pengojnë formimin e institucioneve dhe kjo, sipas tij, po e çon vendin drejt një krize të thellë të sistemit.

“Kjo krizë nuk rezulton vetëm me jo-stabilitet politik, por godet zemrën e shtetit – funksionalitetin, legjitimitetin e tij si dhe besimin në demokraci si sistem. Pasojat mund të jenë të pariparueshme”, paralajmëron ai.

Ibrahimaga thekson se në një shtet të ri si Kosova, çdo krizë e brendshme është një dhuratë për agjendat që nuk e duan një shtet funksional.

Ai ka një mesazh të qartë për bartësit e institucioneve dhe liderët politikë:

Bindjet personale nuk janë më të rëndësishme se institucioni që përfaqësojnë;

Interesat momentale partiake nuk janë më të rëndësishme se shteti;

Institucioni nuk është arenë e betejave të egra politike – është themeli i përbashkët i një shoqërie të lirë.

“Kur një institucion dështon, nuk dështon vetëm një individ – rrezikohet vetë rendi kushtetues”, përfundon reagimin e tij Ibrahimaga./Telegrafi/