Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) e Kosovës ka njoftuar opinionin publik për tërheqjen e një serie të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL AR 2, për shkak të pranisë së substancës Cereulide.

Lajmi ka ardhur përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), me njoftimin nr. 2026.0598.


“Në një seri të këtij produkti, i cili përdoret për qëllime të veçanta mjekësore, është identifikuar prania e substancës Cereulide, dhe është kërkuar tërheqja e menjëhershme e produktit nga tregu", thuhet në njoftim.

Agjencia bën të ditur se niveli i rrezikut është vlerësuar si serioz, ndaj janë ndërmarrë masa të menjëhershme në bashkëpunim me kompaninë importuese.

"Produkti që tërhiqet është: APTAMIL AR 2 – formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gr, prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd. (Danone) dhe importuar në Kosovë nga UNION SH.P.K., Vushtrri", thuhet tutje në njoftim.

AUV i bën thirrje konsumatorëve që të mos e përdorin këtë produkt dhe ta kthejnë në pikat e shitjes.

Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e tregut dhe zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese:

“Qëllimi ynë është garantimi i sigurisë ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës”, shton AUV. /Telegrafi/