Asnjë flamur nuk valëvitet mbi një tokë të helmuar

Aneta Wolter
Në shtëpinë e prindërve të mi, ku dikur jetonim pesë veta, mbetjet e ditës ishin zakonisht një grusht i vogël lëkura patatesh apo qepësh, hedhur mbi një copëz gazete. Sot, për fat të keq, vetëm unë prodhoj shumë më tepër mbetje. Kjo krizë mjedisore që po përjetojmë nuk është vetëm pasojë e konsumit të rritur, por edhe e mungesës së një sistemi funksional menaxhimi. Shpesh dëgjoj që fajësimi bie mbi qytetarët, sikur ndotja të ishte thjesht rezultat i sjelljes individuale. Por, kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. Sigurisht, qytetarët kanë përgjegjësinë e tyre, sepse pastërtia nuk fillon dhe nuk mbaron te pragu i shtëpisë. Megjithatë, pa infrastrukturë të duhur, bashkërendim dhe institucione vendore që funksionojnë mirë, edhe përpjekjet më të mira individuale shuhen. Qytetarët duhet të informohen, të motivohen dhe madje të shpërblehen që të bëhen pjesë aktive e qarkullimit të mbetjeve.
Në qytetin tim në Gjermani, me rreth 240 mijë banorë, ka 120 mijë kosha të llojeve të ndryshme, një flotë të tërë automjetesh, dy landfille, dy impiante për trajtimin e ujërave të ndotura, një impiant ndarje mekanike-biologjike, një për kompostim dhe një tjetër për prodhimin e gazit dhe energjisë. Për më tepër, rreth 700 punonjës të kompanisë bashkiake të menaxhimit të mbetjeve dhe ujërave të ndotura sigurojnë funksionimin e saj. Natyrisht, ekziston edhe një listë gjobash. Gjithashtu, bashkëpunojnë me inceneratorin e një qyteti afër përmes kontratave të ndërsjella, duke dhënë ose marrë mbetje, sipas nevojave termike të tyre ose për prodhimin tonë të gazit.
Sipas ligjit gjerman, të gjitha këto realizohen nën mbikëqyrjen e një bordi kontrollues, të cilin për një periudhë kohe e kam drejtuar edhe vetë. Në këtë zinxhir të menaxhimit nga pushteti vendor - nga investimet te mbledhja, ndarja, riciklimi dhe ripërdorimi, deri te mbetjet fundore (vetëm 17 përqind përfundon në landfill) - kostoja përkthehet direkt në tarifën që paguan çdo qytetar. Sa më mirë menaxhojmë ne procesin, aq më pak paguajnë qytetarët tanë, aq më i pastër bëhet qyteti dhe aq më tërheqës për banorë të rinj e biznese. Çdo banor i ri sjell të ardhura për qytetin dhe çdo biznes i ri gjeneron ekonomi. Kështu realizohet cikli pozitiv i përgjegjësisë dhe interesit publik në nivel lokal si për qytetarët, ashtu edhe për ata që kandidojnë për pushtetin vendor.
Për ne, mbetjet nuk janë plehra; ato janë lëndë e parë me vlerë, që duhet rikthyer në ekonomi. Ne i kemi paguar tashmë kur kemi blerë produktet dhe ato nuk janë të pafundme. Nga përvoja mund të them me bindje se asnjë nga këto hallka menaxhimi nuk kërkon “teknologji raketash”. Nuk është çështje teknologjie, por dije, organizimi dhe prioritetesh politike, ku duket se kjo do të jetë një prioritet i qeverisë së re. Për disa, është edhe çështje dashurie për vendin.
Në shumë vende, teksa ecën nëpër male, lexon: “Atë që more me vete, merre sërish kur të zbresësh”. Është koha që edhe në Shqipëri të shikojmë konceptin e sovranitetit dhe mirëqenies edhe nga perspektiva e natyrës, ashtu siç bëjnë të tjerët. Ndërgjegjja mjedisore është një formë e lartë e atdhedashurisë, sepse asnjë flamur patriotizmi nuk valëvitet mbi një tokë të helmuar.

















































