LAJMI I FUNDIT:

Arsyetimi i gjykatës për lirimin e Sami Lushtakut për arratisjen nga QKUK dhe për dënimin e tij me 12 mijë euro

Arsyetimi i gjykatës për lirimin e Sami Lushtakut për arratisjen nga QKUK dhe për dënimin e tij me 12 mijë euro

Gjykata Themelore në Prishtinë me 14 prill 2020, e kishte shpallur aktgjykimin në rastin e arratisjes së ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt Sami Lushtakut dhe të tjerëve nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), e cila kishte ndodhur në vitin 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Sipas aktgjykimi të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, Lushtaku ishte liruar nga akuza për arratisjen nga QKUK, ndërsa ishte dënuar me 12 mijë euro për dy arratisjet e tjera, njëra me 21 gusht 2015 dhe tjetra me 22 shtator 2015, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Sipas aktakuzës, Lushtaku me 21 gusht 2015, qëllimisht kishte qëndruar i pashoqëruar nga stafi korrektues dhe pa u miratuar nga ndonjë urdhër gjykate, jashtë hapësirave të Qendrës së Paraburgimit të Dubravës, dhe kishte qëndruar në shtëpinë e tij, ndërsa nga i njëjti institucion sipas aktakuzës ishte arratisur edhe me 22 shator 2015.

Për këto dy arratisje, Lushtaku është dënuar me 12 mijë euro gjobë, mirëpo nëse i njëjti nuk e përmbushë gjobën brenda afatit të caktuar nga gjykata, ky dënim do ti zëvendësohet në dënim me burgim, ashtu që për çdo 20 euro të dënimit me gjobë do ti llogaritet 1 (një) ditë burgim.

Përveç Lushtakut, me nga 1.000 euro gjobë ishin dënuar edhe gardianët të cilët kishin qenë në përcjellje të Lushtakut, Ylber Blakaj. Gzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena.

Sipas aktakuzës, tre të akuzuarit duke vepruar në bashkëkryerje kishin keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare dhe autorizimin në ruajtjen e Lushtakut, derisa ai kishte qenë jashtë Qendrës së Paraburgimit të Dubravës me 21 gusht dhe 22 shtator 2015.

Ndërkaq të gjithë të akuzuarit tjerë përfshirë edhe djalin e Lushtakut Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Ismet Haxha, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj dhe Argjent Behramaj ishin liruar nga akuza.

Sipas aktgjykimit të përpiluar me 6 maj 2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, tregohen arsyet e dënimi të Lushtakut dhe tre oficerëve korrektues si dhe lirimi i të akuzuarve të tjerë.

“Sa i përket të pandehurit Sami Lushtaku, gjykata konstatoj se me veprimet e tij janë konsumuar të gjitha elementet e veprës penale në vazhdimësi “arratisja e personit të privuar nga liria nga neni 405 par 1 lidhur me nenin 81 të KPRK-së. Këtë fakt gjykata e konstatoi në radhë të parë si vepër penale në vazhdimësi pasi që gardianët të cilët kanë shoqëruar Sami Lushtakun kanë qenë të njëjtit si me dt. 21.08.2015 po ashtu edhe me dt. 22.09.2015, vepra penale ishte identike si dhe faktori kohë ndërmjet veprës së parë dhe veprës së dytë nuk kishte më tepër se një muaj, andaj gjykata konstatoi se janë plotësuar kushtet ligjore që vepra është kryer në vazhdimësi”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Po ashtu, sipas gjykatës i akuzuari Lushtaku për këtë vepër penale kishte shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, mirëpo gjendja faktike ishte vërtetuar në mënyra të plotë pas administrimit të provave personale dhe materiale.

Në arsyetimin e aktgjykimit thuhet se gjendja faktike ishte vërtetuar nga deklarata e dëshmitarit Matia Ratikonen, i cili kishte qenë shef i njësisë së hetimeve për krime lufte i cili ka organizuar një operacion të vëzhgimit dhe përcjelljes së të pandehurit Sami Lushtaku, deklaratë e cila ishte konsideruar e lexuar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Në deklaratën e këtij dëshmitari përshkruan se si i pandehuri lihet pa shoqërim nga ana e pjesëtarëve, gardianëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës të shkojë në lagjen “Arbëria”  dhe i njëjti ishte ndaluar nga pjesëtarët e EULEX-it në një automjet privat ku i njëjti arrestohet dhe njoftohet Qendra e Paraburgimit në Dubravë, gjykata kësaj deklarate ia falë besimin në mënyrë të plotë se është në përputhshmëri me provat materiale dhe e bazon aktgjykimin në këtë pjesë, konstaton se me veprimet e të pandehurit janë plotësuar të gjitha elementet e veprës penale që i vihet në barrë”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata në arsyetimin e aktgjykimi ka treguar edhe arsyen e dënimi me gjobë në shumë prej 12 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sa i përket të pandehurit Sami Lushtaku, gjykata ndaj të njëjtit ka shqiptuar një dënim me gjobë prej 12.000 (dymbëdhjetëmijë) euro, i cili është i obliguar që ti përmbushë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, edhe ndaj të pandehurit gjatë shqiptimit të dënimit gjykata ka zbatuar dispozitat e zbutjes së dënimit dhe të njëjtit i ka shqiptuar dënim me gjobë duke pasur për bazë gjendjen shëndetësore të pandehurit edhe të njëjtit i shqiptohet dënim me gjobë, çka edhe do të arrihet efekti i dënimit e po ashtu gjykata ka pasur për bazë edhe gjendjen ekonomike të kryesit të veprës penale, andaj një sanksion i tillë do shërbejë si preventivë që në të ardhmen mos të përsëritet vepra penale e kryer, apo vepra tjera  penale  dhe do shërbej në risocializimin e kryesve të veprave penale” thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Edhe për dënimin e tre gardianëve, Ylber Blakaj Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena, gjykata e kishte bazuar aktgjykimin në deklaratën e dëshmitarit Matia Ratkoinan.

“Gjykata ia falë besimin e plotë kësaj deklarate pasi është në përputhshmëri me provat tjera materiale, po ashtu i pandehuri Ylber Blakaj kishte dhënë deklaratë gjatë shqyrtimit gjyqësor, por gjykata  kësaj deklarate nuk ja dhënë besimin sepse ishte e njëanshme dhe në kundërshtim me provat tjera dhe duke tentuar që ti ikë përgjegjësisë penale, ndërsa dy të pandehurit tjerë Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena kanë shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje. Andaj gjykata konstatoi se me veprimet e pandehurve ekzistojnë të gjitha elementet e veprës penale që u vihet në barrë”, thuhet bë arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi thuhet se gjatë matjes së shqiptimit të dënimit gjykata kishte pasur parasysh si rrethana lehtësuese me të cilat kishte zbutur dënimin.

“Sipas veprës për cilën të pandehurit ngarkohen parashihet dënimi vetëm me burgim, gjykata të pandehurve Ylber Blakaj, Gëzim Ahmeti dhe Xhevdet Zena u ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë për secilin nga 1000 (njëmijë) euro, të cilët janë të obliguar ta përmbushin në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, pas kryerjes së veprës penale kanë pasur sjellje të mira, janë kthyer në vendin e punës, nuk kanë vërejtje tjera, andaj me një dënim të tillë gjykata konsideron se do të arrihet efekti i dënimit dhe gjobat e shqiptuara gjykata i ka shqiptuar në bazë të gjendjes ekonomike të të pandehurve” thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Në lidhje me lirimin nga akuza për të akuzuarin Emrush Thaqi, sipas kësaj gjykate, nuk ishte provuar se i njëjti kishte kryer veprat penale që i viheshin në barrë, pasi sipas gjykatës, për të kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare duhet të vërtetohej se kjo kategori e veprave penale kryhet vetëm me dashje, përfitimi pasuror për vete apo personin tjetër. Për këtë arsye, sipas gjykatës me asnjë provë nuk ishte vërtetuar se Thaqi kishte keqpërdorur detyrën zyrtare dhe iu kishte mundësuar të pandehurve të arratisen nga QKUK, apo që Thaqi të kishte ndikuar në ndryshimin e vendimin të gjyqtarit të EULEX-it lidhur me urdhëresën për dërgimin në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

“Nga deklarata e Sokol Zogaj, të dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësor vërtetohet  se nuk ka pasur kushte për dërgimin e të paraburgosurve shqiptar në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, pasi që nuk kishte gardian shqiptar të paraburgosur tjerë shqiptar dhe çështja e sigurisë ishte e brisht ku kësaj deklarate gjykata ia fal besimin. Aktgjykimin gjykata e ka bazuar edhe në deklaratat e dëshmitarëve tjerë si Rashit Qalaj – drejtor për sektorin e policisë, për Regjionin e Prishtinës, ku në deklarimet e tij i referohet çështjes së sigurisë në pjesën veriore si një zonë e pasigurtë ku gjykata ia fali besimin deklaratës së tij. Po ashtu deklarata e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, të cilën e kishte dhënë gjatë shqyrtimit gjyqësor se në pjesën veriore situata nuk ka qenë në rregull edhe në aspektin e sigurisë dhe nuk ka pasur mundësi të ofrojë kushte për të paraburgosurit shqiptar Sami Lushtaku etj, të cilës deklaratë gjykata ia fali besimin sepse e njëjta është në  përputhshmëri edhe me prova tjera. Po ashtu, gjykata shqyrtoi edhe deklaratën e prokurorit të EULEX-it Xhonatan Ratell si dhe takimin të cilët i kishte ftuar eprorët e policisë, nga SHKK, Shemsi Hajrizin, Sokol Zogaj si dhe gjyqtari ndërkombëtar, ku i njëjti në atë takim ka deklaruar se nga ky moment të gjithë urdhrat do ti jap unë dhe asnjë veprim nuk mund të merret pa konsultën time dhe as policia e Kosovës ku të njëjtit i kishte urdhëruar që të qëndrojnë jashtë rrethojave të QKUK-së, ku edhe i njëjti ka ndërmjetësuar në bisedë me të paraburgosurit, andaj nga provat e administruara nuk është provuar se i pandehuri Emrush Thaqi ka kryer veprat penale që i vihen në barrë”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Po ashtu, sipas kësaj gjykate edhe për të akuzuarin Shemsi Hajrizi, me administrimin e provave gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ishte provuar se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e gjyqtarit lidhur me transferimin e të paraburgosurit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, derisa kishin qenë të shtrirë në QKUK.

“Me asnjë provë të administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është provuar se i pandehuri në cilësi të ushtruesit të detyrës së drejtorit të Shërbimet Korrektues të Kosovës, ka kryer veprën penale. Këto rrethana vërtetohen nga deklarata e Sokol Zogaj, i cili deklaron gjatë shqyrtimit gjyqësor se me të pranuar  urdhëresën për dërgimin e të pandehurve, ne kemi kërkuar kushte nga Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë dhe kemi kërkuar nga EULEX-i të na ofrojë siguri, por nga asnjëra palë nuk kemi marrë përgjigje me shkrim, kësaj deklarate trupi gjykues ia fali besimin. Deklarata e Komandantit të Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, gjatë shqyrtimit gjyqësor ka deklaruar lidhur me gjendjen e sigurisë në pjesën veriore gjatë vitit 2014, ku ka qenë mjaftë e brishtë dhe shumë sfiduese për shkak të strukturave paralele, kësaj deklarate gjykata ia fali besimin. Deklarata e drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Mitrovicë, në deklaratën të cilën gjykata ia fali besimin sepse ishte në përputhshmëri edhe me deklaratat e dëshmitarëve të tjerë se nga viti 2008 nuk ka pasur në këtë qendër  punëtor shqiptar, gardian janë tërhequr për shkak të sigurisë. Gjykata shqyrtojë edhe deklaratën  e të pandehurit Shemsi Hajrizi, ku i njëjti ishte në përputhshmëri me provat tjera dhe gjykata  nuk ka arritur të provojë se me veprimet e të pandehurit nuk janë përmbushur elementet  e veprës penale që i vihet në barrë”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Sipas gjykatës, me asnjë provë nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit Sami Lushtaku, Sahit Jashari dhe Ismet Haxha, ishin arratisur nga QKUK, pasi sipas gjykatës ky fakt ishte vërtetuar nga deklarata e drejtorit për Regjionin e Prishtinës, Rashit Qalaj, i cili kishte deklaruar se pas marrjes së konfirmimit se të paraburgosurit nuk gjendeshin në dhomat e tyre, kishin aplikuar masat policore, dhe se nuk kishin arritur ti arrestojnë tre të pandehurit, por se ata ishin dorëzuar në polici, brenda QKUK-së.

“Kësaj deklarate gjykata ia fali besimin e plotë sa i përket deklaratës së prokurorit të EULEX-it i cili ka bashkëbiseduar me familjar të Sami Lushtakut ku i njëjti thekson se në QKUK nuk ka arratisje por të njëjtit janë barikaduar për shkak të vendimit të gjyqtarit të EULEX-it, kësaj deklarate gjykata ia fali besimin”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas gjykatës, i akuzuari Sami Lushtaku kishte deklaruar se nuk ishin arratisur nga QKUK dhe se kishin qenë në dhomën e tij në kardiologji, për shkak se kishin kundërshtuar që të transferoheshim në Burgun e Mitrovicës, jo për shkak të frikës pasi kishte qenë i dënuar me 20 vite burgim, por për shkak se kishte ekzistuar rreziku i kidnapimit të tyre. Mirëpo, sipas Lushtakut pasi kishin arritur marrëveshje me prokurorin e EULEX-it dhe pas ndryshimit të vendimit nga gjyqtari i EULEX-it, ata ishin dorëzuar në polici, të cilët i kishin dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë. Sipas gjykatës, në veprimet e tre të akuzuarve nuk ishin formësuar elementet e veprës penale që iu vihet në barrë, prandaj të njëjtit edhe i kishte liruar nga akuza.

Sa i përket të akuzuarve Mergim Lushtaku dhe Dardan Geci, sipas kësaj gjykate nuk ishte vërtetuar se të njëjtit i kishin ndihmuar tre të akuzuarit që të strehoheshin në një vend duke lehtësuar arratisjen e personave që kishin qenë të paraburgosur.

“Pas marrjes së njoftimit se të njëjtit do të transferohen në Burgun e Mitrovicës, Mërgim Lushtaku me anëtarët e tjerë të familjes kanë protestuar kundër vendimit për transferimin e tyre, protesta ka qenë paqësore, kjo është vërtetuar nga deklarata e policëve të Stacionit Policor Jugu – Prishtinë, e veçanërisht Komandantit Binak Berisha, deklarata e Rashit Qalës si dhe prokurorit të Eulex-it Xhonatan Ratell, i cili ka biseduar me Mërgim Lushtakun, këtyre provave gjykata ia fali besimin, me provat e administruara,  gjykata konstatoi se nuk janë plotësuar elementet e veprës penale që i vihen në barrë, nuk është provuar se ka kryer veprën penale, andaj vendosi si në dispozitiv të aktgjykimit  dhe të akuzuarit lirohen nga akuza”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Në lidhje me të akuzuarit Bashkim Devisholli dhe Argjent Behramaj, sipas gjykates nga deklarata e Emrush Thaqit ishte vërtetuar se në mungesë të gardianëve në Qendra tjera të paraburgimit, ishte kërkuar nga Qendra Paraburgimit në Prishtinë, të caktohen gardian të cilët kishin për të siguruar të  pandehurit Sami Lushtaku etj.

“Edhe pse të njëjtit kanë shërbyer 12 orë në ditë, gjykata këtë fakt e ka vërtetuar nga deklarata e të pandehurit Valon Behramaj, edhe pse kanë punuar në kushte të vështira në mungesë të stafit, sjellja e të pandehurve ka qenë e mirë dhe nuk kemi pasur pengesa në punë. Pengesat janë shfaqur pasi të pandehurit Ismet Haxha ka kuptuar se ka një urdhëresë për transferim në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, i njëjti ishte larguar nga dhoma e tij fakt i cili është vërtetuar edhe nga urdhëresa për transferim në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, të cilin fakt po ashtu gjykata e vërtetoi edhe nga deklarata e të pandehurit Bashkim Dervisholli, ku ka njoftuar zingjirin komandues, dhomën e kontrollit, e po ashtu edhe zëvendës Drejtoreshën Besa Sahiti, e cila ka dhënë deklaratë në gjykatë, ku gjykata kësaj deklarate ia fali besimin”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Sipas gjykatës, me asnjë provë nuk ishte provuar se të njëjtit kishin pasur lëshim në punë, por për shkak të turmës së njerëzve ishte pamundësuar kryerja e detyrës.

Sa i përket të akuzuarit Agim Ukaj, sipas gjykates nuk ishte vërtetuar se i njëjti në cilësinë e koordinatorit, kishte organizuar transportin e Lushtakut, në bazë të urdhëresës së shkruar nga drejtori Ismajl Dibrani, të urdhëresës së arritur nga njësia e transportit me seli në Lipjan, pasi që Lushtaku, nuk kishte qenë i kategorizuar dhe se ishin caktuar tre gardian për zbatimin e urdhëresës.

“Këtë fakt gjykata ka vërtetuar nga administrimi i provave materiale, libri dalje të paraburgosurve me dt 22.09.2015, Raporti policor i dt 28.08.2015 i Mati Ratikanen  si dhe deklarata e të pandehurit Agim Ukaj, i cili nga provat e administruara nuk është provuar se i njëjti ka kryer veprën penale që i vihen në barrë, andaj trupi gjykues ndaj të pandehurit shqipton Aktgjykim Lirues”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Gjykata në arsyetimin e këtij aktgjykimi kishte dhënë edhe arsyet për lirimin nga akuza për Ismajl Dibranin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sa i përket të paraburgosurit Sami Lushtaku i cili me 22 09.2015, ka pasur një vizitë mjekësore në QKUK, i cili nga Qendra Paraburgimit në Dubravë është larguar nën përcjelljen e gardianëve në bazë të dokumentacionit si kërkohet, ndërsa pse i akuzuari Dibrani nuk ka bërë kërkesë për klasifikimin e të paraburgosurve, vet i pandehuri kishte deklaruar se nuk kishte më tepër se 14 ditë pune në këtë pozitë dhe ka qenë e pamundur brenda kësaj periudhe kohore të ndërmarrë veprimet përkatëse. Kësaj deklarate gjykata ia fali besimin e plotë dhe nuk ka pasur ndonjë raport përkatës nga paraardhësi i tij apo ndonjë vërejtje lidhur me të pandehurin Sami Lushtaku dhe i njëjti ishte dërguar në Burgun e Sigurisë së Lartë, dhe për rastin konkret kishte njoftuar edhe Institucionin përkatës. Drejtori i Shërbimit Korrektues Emrush Thaqin dhe Ministrin e Drejtësisë nëpërmjet shkresave që janë pjesë e shkresave të lëndës, andaj gjykata konstatoj se me veprimet e të pandehurit nuk janë përmbushur elementet e veprës penale  të përshkruar si në dispozitiv të aktakuzës,  andaj në mungesë të provave gjykata morri aktgjykim lirues” thuhet në arsyetimin e gjykates për të akuzuarin Dibrani.

Edhe për të akuzuarin Nexhip Shatri, sipas gjykatës nuk ishte vërtetuar se i njëjti i ka ofruar shërbim Sami Lushtakut që të shkojë dhe ti bëjë kontrollet në QKUK.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se i akuzuari nuk ka qenë kardiolog i të paraburgosurit Sami Lushtaku, por Sami Lushtaku është kontrolluar te Ismajl Avdi Demaj, i cili e kishte udhëzuar pacientin në QKUK, duke u arsyetuar se aparatet në Pejë, janë jashtë funksionit. Pas administrimit të këtyre provave si dhe deklaratën e të pandehurit të cilës gjykata ia fali besimin, se nuk është provuar se me veprimet e të pandehurit përmbushen elemente e veprës penale që i vihen në barrë, andaj gjykata ndaj të pandehurit ka marrë aktgjykim lirues” thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Në këtë rast i akuzuari kishte qenë edhe Sami Gjoka, por ndaj tij ishte refuzuar akuza dhe ishte pushuar procedura penale për shkak të vdekjes së tij.

Në këtë rast përveç arratisjes, në pjesën tjetër të aktakuzës që nuk ka të bëjë me arratisje, por me veprat penale “pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare”, “frikësimi gjatë procedurës penale”, “pjesëmarrja në grup të organizuar kriminal”, po akuzohen Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Për këtë pjesë të aktakuzës, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Shashivar Hoti në seancën 20 shkurtit kishin veçuar procedurën.

Ndryshe, për këtë rast, bashkëshortja e Lushtakut, Mirvete Hasani Lushtaku, më 4 dhjetor 2019, është dënuar me gjashtë muaj burgim, pasi që ishte aprovuar marrëveshja për pranimin e fajësisë, pas së cilës edhe ishte veçuar procedura ndaj saj.

Por, ky dënim, me pëlqimin e të akuzuarës është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 3500 euro, të cilën nëse nuk e paguan, dënimi do t’i shndërrohet me burg.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi/

Në trend Lajme

Më shumë
Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Gazetari britanik tregon nëse mund të ketë luftë në Kosovë dhe Bosnjë

Siguri
Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Cvijanoviq: Qëndrimi i Bosnjës e Hercegovinës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të jetë neutral

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Kurti pas telefonatës me Macron: Besojmë që Franca ta mbështesë Kosovën në KiE pa parakushte

Lajme
Rrëfimi i Vasfije Krasniqit: Çdo ditë e kujtoj tmerrin që më ndodhi nga forcat serbe

Rrëfimi i Vasfije Krasniqit: Çdo ditë e kujtoj tmerrin që më ndodhi nga forcat serbe

Lajme
Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Goditi 42 herë me thikë ish-të dashurën në Vjenë, gjykata e dënon me 15 vjet burgim shqiptarin nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori