Arsenali aksidentalisht zbuloi transferimin e ri që askush nuk e dinte pasi prezantoi Madueken

Arsenali mund të ketë njoftuar zyrtarisht transferimin e katërt të kësaj vere, por “Topçinjtë” duket se kanë zbuluar aksidentalisht edhe përforcimin e pestë.
Klubi nga Londra Veriore ka qenë shumë aktiv në merkato, duke afruar Martin Zubimendin, Christian Norgaardin dhe Kepa Arrizabalagan, ndërsa së fundmi ka siguruar edhe transferimin e Noni Madueke nga Chelsea për një shumë prej 48 milionë funtesh, me një kontratë pesëvjeçare.
Arsenali po vijon gjithashtu përpjekjet për të transferuar sulmuesin e Sporting CP, Viktor Gyokeres, megjithatë ende nuk është arritur marrëveshje për bonuset dhe klauzolat shtesë.
Ndërkohë, duket se një transferim tjetër është konfirmuar pa dashje pas një gabimi në rrjetet sociale dhe platformat mediatike.
Në platformën e imazheve Getty, tifozët vunë re disa fotografi të mbrojtësit të Valencias dhe Kombëtares së Spanjës U21, Cristhian Mosquera, të ngarkuara së bashku me fotografitë zyrtare të prezantimit të Maduekes.
Në imazhe, Mosquera shfaqej i buzëqeshur, i veshur me uniformën stërvitore të Arsenalit, ndërsa fliste me një anëtar të ekipit mediatik të klubit. Fotot u fshinë shpejt, por mjaftuan për të ngritur dyshime të forta për afrimin e tij.
Ky “gabim” pothuajse e konfirmon se njoftimi zyrtar për Mosqueran është çështje kohe.
Sipas raportimeve të mëparshme të Fabrizio Romano, mbrojtësi 21-vjeçar pritej të kryente vizitat mjekësore të mërkurën dhe do t’i bashkohet Arsenalit për një tarifë prej 15 milionë eurosh plus bonuse, si pjesë e një kontrate afatgjatë. /Telegrafi/


















































