Arrestohet shtetasi turk në Kosovë i kërkuar nga INTERPOL-i për shfrytëzim të miturve

Njësiti i specializuar FAST i Policisë së Kosovës ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga INTERPOL-i, konfirmon Policia e Kosovës.
Arrestimi është kryer rreth orës 13:30, në bashkëpunim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës, pas një operacioni të koordinuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor.
Personi i arrestuar, shtetas i huaj – raportohet se bëhet fjalë për një shtetas turk – kërkohej nga autoritetet e një shteti tjetër për dyshime lidhur me kryerjen e veprave penale që përfshijnë shfrytëzim të miturve dhe privim të paligjshëm të lirisë.
I dyshuari është shoqëruar për procedura të mëtejme, ndërsa me vendim të prokurorit kujdestar i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh, për të vijuar pastaj me procedurat ligjore sipas marrëveshjeve ndërkombëtare të bashkëpunimit policor.
Policia e Kosovës ka theksuar se operacionet e tilla mbeten prioritet në luftën kundër kriminalitetit ndërkufitar dhe garantimin e sigurisë publike.

















































