Arrestohet një zyrtar i stafit civil të policisë, dyshohet për ngacmim seksual ndaj të miturës pranë një shkolle

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se hetuesit e këtij institucioni kanë arrestuar sot një punonjës të PK-së (zyrtar i stafit civil pa autorizime policore) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ngacmim seksual.
“IPK ishte njoftuar lidhur me dyshimet se punonjësi civil dyshohej se ishte përfshirë si i dyshuar në këtë rast dhe ka filluar të ndërmarrë veprime hetimore në koordinim Prokurorinë Themelore Prizren”, thuhet në njoftim.
Bazuar në hetimin preliminar dyshohet se punonjësi tashmë i arrestuar, për një periudhë dy javore ka ushtruar ngacmim seksual ndaj viktimës (së mitur) të gjinisë femërore në afërsi të objektit shkollor kur viktima i ndjekë mësimet.
“I dyshuari, me vendim të Prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore Prizren dërgohet në mbajtje për 48 orë përderisa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij”,thuhet në njoftimin e IPK-së.
IPK thekson se vazhdon të mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së standardeve të larta profesionale, respektimit të të drejtave të qytetarëve dhe fuqizimit të llogaridhënies brenda Policisë së Kosovës./Telegrafi/









































