Arrestohen pesë persona për bixhoz të paligjshëm në Prizren – mbyllet një lokal

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për organizim të bixhozit të paligjshëm në qytetin e Prizrenit.
Veprimet policore u zhvilluan më 19 gusht 2025, pas një pune hetimore të intensifikuar nga Stacioni Policor në Prizren.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, bastisjet u kryen “mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për veprën penale 'Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm'”.
Kontrollet janë realizuar në disa lokacione, ku dyshohej se pronarët dhe punëtorët e lokaleve të caktuara mundësonin zhvillimin e lojërave të fatit.
Gjatë kontrollit, janë sekuestruar materiale të ndryshme si prova, për të cilat policia njofton se janë gjetur dëshmi dhe fakte të cilat konfirmojnë dyshimet për veprimtari të kundërligjshme”.
Nga pesë personat e arrestuar, dy janë ndaluar me aktvendim nga prokurori kujdestar, ndërsa tre të tjerë janë liruar në procedurë të rregullt hetimore.
“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalim ndaj dy prej tyre, ndërsa tre të dyshuarit e tjerë janë liruar në procedurë të rregullt hetimore”, thuhet më tej në komunikatë.
Operacioni policor është zhvilluar me mbështetjen e njësiteve të tjera, përfshirë patrullat policore, njësitin e NJRSH-së, inspektorët e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) dhe inspektorët komunalë të tregut.
Si rezultat, një nga lokalet është mbyllur dhe i janë vendosur vulat zyrtare, ndërsa për shkelje të tjera janë hartuar procesverbale nga inspektorët përkatës.
Policia konfirmon se rasti mbetet nën hetim, duke ritheksuar përkushtimin e saj për sundimin e ligjit. /Telegrafi/

















































