Katër persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, pas një përleshjeje të dhunshme në një restaurant në rrugën “Wesley Clark” në Ferizaj.

Incidenti ndodhi rreth orës 03:40, kur stacioni policor në Ferizaj pranoi informacionin për një rrahje në progres. Njësitë policore ndërhynë menjëherë dhe shoqëruan të përfshirët në stacion për hetime të mëtejme.


Sipas të dhënave preliminare, pas një mosmarrëveshjeje verbale, katër persona u përfshinë në një përleshje fizike ku u përdorën grushta, karrige, një armë zjarri dhe një thikë.

Policia ka sekuestruar në vendin e ngjarjes një armë zjarri me 14 fishekë dhe një thikë të përdorur gjatë incidentit. Hetuesit kanë siguruar prova materiale, përfshirë deklaratat e dëshmitarëve dhe pamjet nga kamerat e sigurisë.

Të arrestuarit janë: A.I. (M/K), 48 vjeç, B.A. (M/K), 45 vjeç, F.S. (M/K), 28 vjeç dhe A.I. (M/K), 27 vjeç.

Të njëjtit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë. Ndaj tyre është iniciuar procedurë penale për veprat: lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Rasti mbetet në hetim të mëtejmë nga autoritetet kompetente./Telegrafi/