Një aksion i Policisë së Kosovës ka rezultuar me arrestimin e dy personave dhe konfiskimin e drogës në Lipjan.

Sipas raportit 24‑orësh të policisë, rreth orës 19:43 zyrtarët policorë kanë tentuar të ndalojnë një veturë të dyshuar të tipit Mercedes me targa vendore, për të cilën kishin informacione se po merrej me shpërndarje të narkotikëve. Gjatë ndjekjes, automjeti ka goditur veturën e policisë, por më pas është ndaluar.


Në veturë ndodheshin dy meshkuj kosovarë. Tek vozitësi janë gjetur 24 qese të vogla me substanca narkotike, rreth 18.09 gram kokainë dhe 6.75 gram marihuanë, të cilat janë konfiskuar si prova materiale.

Gjatë arrestimit, një zyrtar policor ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Pas intervistimit nga organet e hetuesisë, njëri nga të arrestuarit u lirua si dëshmitar, ndërsa i dyshuari tjetër është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Rasti vazhdon të hetohet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge. /Telegrafi/