Gangsteri i Bostonit, James ‘Whitey’ Bulger Jr. është vrarë pas hekurave pak pasi u transferua në një burg federal në Virxhinian Perëndimore. Ai ishte 89 vjeç.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Bulger u vendos si i transferuar të martën tek USP Hazelton, një burg i sigurisë së lartë me një kamp satelitor të sigurisë, ngjitur në Bruceton Mills.
Ai u vra brenda në burg gjatë natës të martën, i kanë thënë dy burime mediumit Boston Globe.
Një i burgosur me lidhje me mafian po hetohet në vrasjen, kanë bërë të ditur tutje burimet.
FBI ka thënë se Bulger ka shërbyer si një informator i FBI-së që nga viti 1975, edhe pse ai gjithmonë e mohoi pretendimet.
Shefi i krimit të organizuar ishte dënuar në vitin 2013 për vrasjen e të paktën 11 personave dhe po vuante një dënim të përjetshëm.
Ai ishte një nga të arratisurit më të kërkuar të FBI-së për 16 vjet deri në arrestimin e tij në Santa Monica të Kalifornisë.
Autoritetet e burgut kanë thënë se një i burgosur ishte therur atje gjatë natës, por nuk ishin në gjendje të konfirmonin menjëherë identitetin e të burgosurit. /Telegrafi/