Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor, Ardian Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka zyrtarizuar kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Suharekës, duke u paraqitur me një platformë që, sipas tij, ofron një alternativë të qartë ndaj qeverisjes aktuale.

I njohur si një mjek kardiolog me karrierë të gjatë, Shala vjen me vizionin për të ndërtuar një administratë transparente, zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe shërbime më të mira për qytetarët.


“Kam ndjerë gjithmonë lidhje të fortë me qytetarët, përmes profesionit si mjek. Tani është koha që këtë përvojë dhe përkushtim ta sjell edhe në qeverisje, me një model të ri – të ndershëm, profesional dhe në shërbim të të gjithëve”, tha Shala në një intervistë për Telegrafin.

Shala ka kritikuar ashpër administratën aktuale komunale, duke e cilësuar si të ngarkuar me afera korruptive dhe dështime në shërbime bazë.

“Është hera e parë në nivel nacional që një numër i drejtorëve komunalë janë përballur me gjykatat dhe kanë pranuar fajësinë. Kjo tregon për një qeverisje të dështuar dhe jo në shërbim të qytetarëve”, thekson ai.

Një ndër çështjet që ai e sheh si alarmante është mungesa e ujit të pijshëm në disa zona të komunës.

“Në shekullin XXI, është e pafalshme që mbi 30 për qind e popullatës të mos ketë qasje në ujë të pijshëm. Edhe në vetë qytetin e Suharekës, ka lagje ku mbi 300 familje përballen me mungesë të ujit gjatë gjithë vitit. Kjo është pasojë e keqmenaxhimit”, shtoi ai.

Programi i Ardian Shalës është i strukturuar në tri shtylla kryesore –arsim, ekonomi dhe shërbime. Më këtë program ai tha se synon të adresojë nevojat urgjente të komunës dhe të hapë rrugën për zhvillim afatgjatë.



Shala premton një reformë të plotë në arsim përmes: pajisjeve digjitale në shkolla, rikonstruimit të objekteve arsimore dhe ndërtimit të çerdheve, modernizimit të kabinetëve shkencorë dhe teknologjikë, etj. Ndërsa, sa i përket zhvillimit ekonomik Shala theksoi se do të krijojnë një fond prej 800 mijë euro për startup, uljen e taksës komunale në 0 për qind për bizneset e reja dhe mbështetje për bujqësinë me investime në sera, blegtori dhe bletari.

“Vetëm në sektorin e bujqësisë, parashikojmë krijimin e deri në 400 vende të reja pune – një shifër domethënëse për komunën tonë”, thekson ai.

Kandidati i LDK-së për Komunën e Suharekës ka bërë të ditur edhe një sërë projektesh për përmirësimin e jetës së përditshme, përfshirë: ndërtimin e një pishine olimpike dhe palestër moderne, themelimin e një qendre inovative për të rinjtë, krijimin e teatrit të qytetit të Suharekës, organizimin e festivaleve dhe përkrahje për kulturën e mërgatës, qeverisje për qytetarët, jo për interesat personale.

Shala thekson se vizioni i tij është i bazuar në rikthimin e besimit të qytetarëve në institucionet komunale dhe vendimmarrjen kolektive.

“Do ta kthejmë qeverisjen në duart e qytetarëve. Asnjë vendim nuk do të merret më në mënyrë të njëanshme apo për interesa të ngushta. Ne ofrojmë një ekip të përgatitur, të pastër dhe të përkushtuar për ndryshim të vërtetë”, ka thënë ndër të tjera Shala për Telegrafin.