Apple po përpiqet ta sjellë Siri në të njëjtin nivel me Google Gemini dhe ChatGPT. Deri tani nuk po ia del shumë mirë, por kjo mund të ndryshojë së shpejti.

Në prag të një "rilindjeje" të supozuar të Sirit që pritet në vitin 2026, Apple ka krijuar një aplikacion të inteligjencës artificiale të ngjashëm me ChatGPT-n për të testuar gjeneratën e ardhshme të funksioneve të asistentit të saj.


Me emrin e koduar Veritas, Apple thuhet se ka zhvilluar një aplikacion për iPhone që shërben si një platformë testimi për funksionet e ardhshme që do të ketë Siri.

Aplikacioni është i ngjashëm me aplikacionet e bisedave me inteligjencë artificiale si ChatGPT, me funksionin e ruajtjes së kontekstit të bisedave të mëparshme dhe aftësi të avancuara bisedore.

Aplikacioni që Apple po teston aktualisht është ndoshta vetëm një prototip i krijuar për të analizuar funksione që janë ende në zhvillim.

Më vonë, këto funksione mund të integrohen brenda aplikacionit Siri dhe në paketën Apple Intelligence në tërësi.

Situata është mjaft interesante – deri tani Apple ka ofruar një sistem ku ChatGPT nga OpenAI aktivizohet kur Siri nuk mund të zgjidhë një kërkesë komplekse, por thuhet se po shqyrtojnë gjithashtu testimin e një versioni që do të përdorte Gemini dhe Claude. /Telegrafi/