Apeli i Speciales lë në paraburgim Isni Kilajn

“Më 1 shtator 2025, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi apelin e Isni Kilajt kundër vendimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake ku urdhëronte vazhdimin e paraburgimit të tij, të lëshuar më 5 qershor të këtij viti”, thuhet në faqën zyrtare të gjykatës.
Ky është apeli i katërt i Kilajt kundër vazhdimit të paraburgimit që rrëzohet, dhe sikurse tri vendimet paraprake, edhe kësaj radhe kërkesa e tij u refuzua tërësisht.
Sipas Apelit, vendimi i gjyqtares së procedurës paraprake, Marjorie Masselot, për rrezikun e pengimit të procedurave, është i bazuar në prova të mjaftueshme.
Apeli është pajtuar me gjyqtaren e procedurës paraprake, që “masa e paraburgimit mbetet e nevojshme”.
Nën akuzat për tentim pengim të drejtësisë, Kilaj u arrestua më 5 dhjetor të vitit të kaluar, bashkë me Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, të cilët më pas u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë./KP/.
















































