Apeli refuzon kërkesën e Komunës së Prishtinës, mbetet në fuqi ndalimi i punimeve në Sheshin “Xhorxh Bush”

Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e Komunës së Prishtinës për suspendimin e vendimit të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, i cili ndalon punimet në Sheshin “Xhorxh Bush”.
Në vendimin e saj, Apeli ka theksuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore përbën interes publik dhe se institucionet shtetërore janë të detyruara të respektojnë ligjin, duke u pajisur me pëlqimet e nevojshme nga autoritetet kompetente.
Çeku tha se Ministria e Kulturës që nga fillimi ka kërkuar nga Komuna të veprojë në përputhje me ligjin, por akuzoi udhëheqësinë e saj për “qasja arrogante dhe shpërfillëse”.
Kjo është hera e katërt që gjykatat mbajnë në fuqi ndalimin e punimeve në këtë pjesë të kryeqytetit:
Fillimisht, Gjykata Themelore e kishte hedhur poshtë kërkesë-padinë e Komunës kundër Ministrisë. Më pas, Apeli e kishte kthyer rastin në rivendosje. Në rivendosje, Themelorja refuzoi kërkesën për masë sigurie, duke lënë në fuqi vendimin e Inspektoratit. Tani, Apeli ka vërtetuar këtë qëndrim, duke cilësuar si të pathemeltë ankesën e Komunës së Prishtinës.
Sipas aktvendimit të 1 shtatorit, padia e Komunës do të shqyrtohet në procedurë të rregullt, por punimet në Sheshin “Xhorxh Bush” nuk mund të vazhdojnë deri në një vendim përfundimtar.


































