Apeli lë në paraburgim 8 të dyshuar për manipulim me vota në Prizren

Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesat e mbrojtjes dhe ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin është caktuar masa e paraburgimit ndaj B.B., A.A., A.K., Gj.Sh., L.K., B.Xh., E.G., I.P., nën dyshimin për manipulim me vota në Prizren.
Sipas vendimit të 3 shkurtit 2026, janë refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes së tetë të dyshuarve, ndërkaq është vërtetuar aktvendimi i Themelores, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kundër aktvendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i I.P., avokati Refki Piraj, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke propozuar që mbrojtësit të tij t’i caktohet arrest shtëpiak.
Kurse, mbrojtësi i të pandehurit B.Gj., avokati Hasan Biraj, ka ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, duke kërkuar që rasti të kthehet në rivendosje.
Avokati i E.G., Naim Cahanaj ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës penale, për arsye të vlerësimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike, mbi të cilat është nxjerrë aktvendimi i Themelores. Ka propozuar t’i caktohet ndonjë masë më e butë të mbrojturit të tij apo rasti të kthehet në rivendosje.
Mbrojtësi i Gj.Sh., avokati Arben Ramadani ka ushtruar ankesë me propozimin që të mbrojturit të tij t’i ndërpritet paraburgimi dhe t’i caktohet masa e paraqitjes në stacion policor.
Mbrojtësi i L.K., avokati Fatmir Jelliqi ka ushtruar ankesë për shkak të shkeljes së dispozitave të Kodit të Procedudrës Penale, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak.
Mbrojtësi i A.K., avokati Klodian Krasniqi ka parashtuar ankesë për shkak të mos-ekzistimit të kushtit ligjor nga neni 184 i KPPK-së, duke propozuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet arresti shtëpiak ose masa e ndalimit të afrimit vendit apo personave të caktuar.
Edhe mbrojtësi i A.H., avokati Anton Çuperjani ka parashtruar ankesë për të gjitha bazat për ankimim, duke propozua që A.H., t’i shqiptohet arrest shtëpiak amo masa e ndalimi të afrimit vendit apo personave të caktuar.
Po ashtu, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e B.B., avokatja Fatbardha Elezkurtaj, për shkak të shkeljes së dispozitave të KPPK-së dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike. Kishte kërkuar që t’i ndërpritet paraburgimi të mbrojturit të saj dhe t’i caktohet një masë më e butë.
Kurse, Prokuroria e Apelit me parashtresë ka propozuar që ankesat e mbrojtjes të refuzohen si të pabazuara dhe të vërtetohet aktvendimi i Themelores.
Sipas Apelit, mbrojtësi i I.P., avokati Refki Piraj, me ankesë ka thënë se masa e paraburgimit në raport me veprën penale është tejet e rëndë, andaj ka kërkuar t’i zëvendësohet me një masë tjetër, duke thënë se hetimet mund të kryhen edhe me masën e arrestit shtëpiak. Edhe mbrojtësi i B.Xh., avokati Hasan Biraj përmes ankesës ka kërkuar që të mbrojturit të tij t’i caktohet ndonjë masë alternative.
Mbrojtësi i E.G., avokati N.C., në vendim thuhet se ka pretenduar në ankesë se dyshimi i bazuar nuk mund të mbështetet vetëm në supozime dhe interpretime, por të jetë konkret, i individualizuar dhe i mbështetur në prova të forta materiale.
Më tej, thuhet se mbrojtësi i Gj.Sh., avokati Arben Ramadani ka pretenduar në ankesë se klienti i tij nuk e ka pasur pozitën e kryesuesit por vetëm të anëtarit. E mbrojtësi i L.K., avokati Fatmir Jelliqi me ankesë ka kërkuar po ashtu që t’i ndryshohet masa të mbrojturit të tij dhe t’i caktohet një masë më e butë, pasi ka vlerësuar se masa e paraburgimit është masë tejet rigoroze.
Kurse, mbrojtësi i A.K., avokati Klodian Krasniqi, ka thënë se i mbrojturi i tij është i moshës së re, është hera e parë që po dyshohet për vepër penale, duke propozuar kështu caktimin e një mase alternative. E mbrojtësi i A.H., avokati Anton Çuperjani, ka theksuar në ankesë se pretendimet mbi të cilat është mbështetur vendimi për caktimin e paraburgimit, mund të trajtohen vetëm gjatë shqiptimit të dënimit. Ai ka thënë se gjykata nuk ka marrë parsysh moshën e klientit të tij dhe nuk ka asnjë precedent penal.
Ndërkaq, mbrojtësja e B.B., avokatja Fatbardha Elezkurtaj ka pretendua në ankesë që nuk janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit ndaj të mbrojturit të saj.





















































