ChatGPT Image Jul 7, 2026, 10_39_06 AM

Aktorja u shfaq në Nju-Jork me një ndërthurje të guximshme ngjyrash dhe prerjesh, duke dëshmuar se edhe kombinimet më të pazakonta mund të duken elegante

Që kur fitoi zemrat e publikut dhe vlerësimet e kritikës me rolin në serialin e suksesshëm “The Queen’s Gambit”, Anya Taylor-Joy nuk ka reshtur së tërhequri vëmendjen – si me talentin e saj në aktrim, ashtu edhe me stilin e veçantë.


Paraqitjet e saj lëvizin vazhdimisht mes elegancës klasike hollivudiane dhe një estetike të guximshme, herë-herë ekscentrike. Dalja e fundit në publik dëshmoi edhe një herë se aktorja nuk u trembet eksperimenteve në modë.

Teksa po dilte nga hoteli “The Bowery” në Nju-Jork, ajo u shfaq me një kombinim që përmbledh disa nga tendencat më të mëdha, por edhe më të vështira për t’u realizuar të sezonit.

Në qendër të vëmendjes ishte fundi midi me motive abstrakte në nuanca vjeshtore. Prerja asimetrike dhe të çarat i dhanë lëvizje veshjes, por surpriza e vërtetë qëndronte te mënyra se si Anya Taylor-Joy kishte vendosur ta kombinonte atë, transmeton Telegrafi.

Në vend të një bluze klasike, aktorja zgjodhi një sutjenë të vogël vjollcë, duke ekspozuar barkun e tonifikuar. Për ta zbutur disi kombinimin dhe për ta përshtatur me një dalje gjatë ditës, ajo kishte hedhur lehtësisht mbi supe një triko të shkurtër në ngjyrë të gjelbër ulliri, të cilën e mbante të zbërthyer.

Ndërthurja e papritur e nuancave të portokallisë dhe të verdhës me vjollcën e fortë dhe të gjelbrën është një shembull i përsosur i stilit “color blocking”. Ndonëse në teori këto ngjyra mund të duken të papajtueshme, Anya i mbajti me lehtësi dhe vetëbesim të jashtëzakonshëm.

Paraqitjen e kompletoi me një palë shapka të verdha të modelit “mule”, me taka transparente, të cilat i dhanë kombinimit një frymë të lehtë retro.

Grimi minimalist, me theks te lëkura e saj porcelan, flokët bionde të lëshuara dhe bizhuteritë diskrete krijuan ekuilibrin e duhur përballë kësaj zgjedhjeje të guximshme.

Anya Taylor-Joy dëshmoi edhe një herë se është një kameleon i vërtetë, si në ekran, ashtu edhe në rrugët e qytetit, dhe se guximi në modë pothuajse gjithmonë rezulton me paraqitje që mbahen mend. /Telegrafi/