Antonio Conte i Napolit është trajneri më i mirë i sezonit të kaluar në Serie A, pasi u zgjodh në një ceremoni të mbajtur në Milano të hënën mbrëma.

Pasi pranoi çmimin, Conte foli për kampionatin e sivjetmë në Serie A, ku zbuloi se qëllimi i napolitanëve është ta mbrojnë titullin kampion.


“Scudetto e vitit të kaluar u fitua me të vërtetë me shumë luftë. E donim me gjithë forcën tonë, duke e ditur se duhej të bënim diçka të jashtëzakonshme për të mposhtur një ekip shumë të fortë plot me kampionë si Interi”, ka thënë fillimisht Conte.

“Bëmë mirë që qëndruam në garë, pjesërisht falë angazhimit të tyre në Ligën e Kampionëve. Filluam të besonim në vetvete gjatë rrugës dhe djemtë ishin vërtet të jashtëzakonshëm në arritjen e diçkaje të veçantë".

"Sezoni 2025/26? Do të jetë një kampionat shumë konkurrues, me shumë ekipe të forta. Është e vështirë të hartosh një renditje pas 13 ndeshjesh; në fakt, të gjithë jemi aty”.

“Qëllimi ynë është të mbrojmë Scudetton, por është shumë e vështirë sepse ka ekipe të mira, të pajisura mirë dhe të forta. Le të fitojë ekipi më i mirë”, përfundoi trajneri i Napolit. /Telegrafi/

telegrafi sport app