Analisti Salihu: Thirrja e mbledhjes nga kryetari i Prishtinës është e pa ligjshme

Analisti i politikave në Institutin GAP, Bekim Salihu, ka reaguar lidhur me thirrjen e mbledhjes nga Kryetari i Prishtinës, duke e cilësuar atë si të pa ligjshme.
Sipas Salihut, me certifikimin e asambleistëve të rinj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), mandati i përbërjes së vjetër të Kuvendit Komunal përfundon automatikisht.
“Nga ky moment, vetëm asambleistët e rinj gëzojnë legjitimitet dhe të drejtë për të marrë vendime”, theksoi ai, përcjell Telegrafi.
Salihu shtoi se hapi i radhës duhet të jetë organizimi i seancës konstituive, e cila sipas ligjit duhet të thirret brenda 15 ditëve nga certifikimi i asambleistëve të rinj.
“Çdo tentim për mbledhje me përbërjen e kaluar është i pa efekt juridik. Megjithatë, duket se ka një konsensus të gjerë nacional që praktikat jo të rregullta dhe të pa bazuara në norma ligjore nuk duhet të ndikojnë në kalimin e vendimeve”, tha ai.
Reagimi i analistit vjen në një kohë kur qyteti i Prishtinës po përballet me sfida në organizimin e organeve të reja komunale pas zgjedhjeve lokale. /Telegrafi/












































