Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se analisti Ermal Sadiku ka aderuar në LDK.

Abdixhiku i ka uruar mirëseardhje Sadikut, duke shkruar se ai është një prej emrave më të shquar të inxhinierisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë.


"I lindur dhe rritur në Prishtinë, Ermal Sadiku që në hapat e parë të karrierës së tij akademike ishte një prej studentëve më të përgatitur të gjeneratës. Studimet e avancuara në Gjermani i dhanë jo vetëm ekspertizë të thellë teknike, por edhe një perspektivë ndërkombëtare mbi inovacionin, standardet moderne të industrisë dhe mënyrat se si ndërtohen ekosistemet e qëndrueshme teknologjike. Pikërisht këto përvoja formësuan vizionin e tij profesional, që sot përbën një vlerë të çmuar për vendin. Pas kthimit në Kosovë, Ermal Sadiku u bë një nga zërat udhëheqës të transformimit digjital", ka shkruar Abdixhiku.

Tutje, ai shkroi "si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global. /Telegrafi/