Amza e çdo identiteti kombëtar është hambari i të mirave shpirtërore dhe materiale, respektivisht, thesari i trashëgimisë kulturore. Sot nuk ka etni apo komb të gjallë në botë që nuk e ka thesarin e vet autentik kulturor. Pra, identiteti kulturor është, në fakt, amza e identitetit kombëtar. Në çdo përpjekje për cenim të identitetit kulturor alarmohet mbarë një komb dhe, në të tilla raste, jo vetëm që vie në shprehje intervenimi i institucioneve përkatëse nacionale por, nëse e do nevoja, në gjendje gatishmërie vihen edhe institucionet relevante për mbrojtje dhe siguri nacionale e shtetërore.

Kështu ndodhë në shtetet komb, ndërsa në shtetet e shquara për nga diversiteti etnik, rregullat vihen mbi të tjera parime, sidomos mbi parimin e “thesarit shtetëror”: pasuria e shtetit i përket të gjithëve, pasuria e të gjithëve ruhet dhe mbrohet nga shteti. Ky parim është karakteristikë e shteteve me traditë të gjatë demokratike. Ekziston edhe tipi tjetër i shtetit me diversitet etnik i cili për sistem të rregullave ka zgjedhur atë në mes të totalitarizmit dhe shovinizmit. Në një shtet të tillë gjithmonë ushtrohet dominanca e etnisë shumicë dhe kjo shprehet duke ushtruar superioritet absolut mbi çdo gjë, mbi politikën, ekonominë, tregtinë, arsimin, kulturën, mbi shoqërinë në tërësi. Shembull eklatant i demonstrimit të këtij superuoriteti janë shumica e shteteve të ish-bllokut socialist, rrjedhimisht edhe Maqedonia.


Tashmë është konstatuar se demokraci në të vërtetë do të thotë kulturë. Shkalla e zhvillimit të demokracisë varet nga shkalla e nivelit kulturor. Shoqëria maqedonase e përqafoi sistemin demokratik duke qenë e hendikepuar nga një trung etnik me shumë degë nacionale. Etnikisht të përzier, ndonëse me një fe dhe një gjuhë, nisën të prodhojnë politika që gravitonin herë nga interesat serbe, herë nga interesat bullgare, e herë nga ato greke. Duke qenë nën impresionin e këtyre graviteteve politike, si pasojë e politikave recidive komuniste nisën edhe më fuqishëm ta ushtrojnë dhe ta demonstrojnë superioritetin ndaj shqiptarëve autoktonë.

Në kohën kur serbët do t’ua mohojnë autoqefalitetin e kishës, kur grekët do t’ua mohojnë shtetin, flamurin, ndërsa bullgarët gjuhën, historinë dhe kombin, gatishmërinë për bashkëjetesë dhe lojalitetin e shqiptarëve, me gjasë do ta kuptojnë si frikë dhe gatishmëri për nënshtrim.

Përçmimi i shqiptarëve do të nisë me ushtrimin e dhunës ushtarako-policore (rasti i Bit Pazarit, Ladorishtës, Gostivarit, Universitetit të Tetovës) e më pas me nëpërkëmbjen institucionale të dinjitetit kulturor. Shqiptarët e Maqedonisë, në rrafshin kulturor, do të ngelin pa përkujdesin shtetëror: do të përballen me anarki totale “kulturore”, si në planin artistik ashtu edhe në atë shpirtëror. Shundi, kiçi, primitivizmi, antikultura, krijimet “limonadë”, nisën t’i përshkruhen shqiptarëve si vlera të tyre kulturore, ndërsa shqiptarët të prezantohen si të denjë për prodhim dhe konsumim vetëm të antivlerave.

Po kështu edhe konceptet sektariane dhe lëvizjet për “një etnologji ndryshe” që nuk ka lidhje me atë shqiptare dhe që binin ndesh koncepteve tona kombëtare properëndimore, toleroheshin dhe madje edhe sot e kësaj ditë stimulohen dhe promovohen si “vlera” autentike shqiptare. Stimuluan një tollovitje brendashqiptare dhe një tendencë për akulturimin e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që për vete po ngrisnin një strategji tjetërfarëshe!

Përderisa shqiptarët po e shkërmoqin identitetin kulturor, maqedonasit do të turren pas copëzave të mozaikut të huaj për të rikrijuar një identitet të ri kombëtar. Fatmirësisht, përpëlitjet e matrapazëve dhe të diletantëve shqiptarë gjithmonë do të mbyten nga standardet e çelikta kulturore kombëtare të ngritura në Shqipëri e Kosovë. Por, pa dyshim, do të goditet rënd guaska e identitetit kulturor e cila pa pikë dhembje do të lihet nën hijen mortore të iniciativës raciste maqedonase për të krijuar një identitet të ri kombëtar, duke filluar me ndryshimin e identitetit kulturor.

Politikat dhe strategjitë kombëtare maqedonase do t’ia mësyjnë amzës së re të identitetit kulturor e kombëtar duke gërryer themeleve të antikitetit, ndërsa shqiptarët e vendit do t’i orientojnë drejt udhëkryqit ku turbullueshëm vezullon petku kulturor prej arnave të shundit e kiçit oriental e lindor. Fatkeqësisht, është krijuar përshtypja se, për momentin, nën këtë petk shqiptarët e vendit ndjehen mirë dhe rehat.

Në emër të të drejtave dhe lirive të njeriut, do me thënë, për një identitet dhe dinjitet të pacenueshëm kombëtar, shqiptarët do të futen në konflikt me maqedonasit. Viti 2001 do të jetë vit i cili do t’i ashpërsojë deri në pakthim raportet në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Konflikti do të ndërpritet me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, rezultati përfundimtar i të cilës është ky: për shqiptarët “përfaqësim adekuat” në administratën shtetërore dhe, për maqedonasit shtimi i urrejtjes patologjike kundër shqiptarëve.

Shqiptarët u futën në administratë me një ndjenjë fajësie. Edhe sot e kësaj dite përçojnë këtë mesazh: nuk luftuam se nuk ju deshëm apo se nuk ishit ju të mirë me ne, por luftuam për t’u punësuar në administratën shtetërore! Kësisoj, shqiptarët do të bien vetë në grackën e inferioritetit kolektiv, ndërsa maqedonasit, duke aktruar viktimën, duke mos dashur më që të bien në të tilla pozita të rrezikshme për identitetin e tyre kombëtar, do ta nisin strategjinë ogurzezë për ata dhe të turpshme për shqiptarët e vendit dhe më gjerë.

Gjithçka do të qartësohet me botimin e të famshmes “Enciklopedia maqedonase”, përmes së cilës, duke i fyer dhe ofenduar shqiptarët e Maqedonisë si ardhacakë, si malokë e uzurpatorë, ia hapën portën vetes për një invazion racist, në emër të “ndriçimit” të identitetit të vërtetë kombëtar përmes shpalosjes së “vlerave kulturore kombëtare”! Identiteti kulturor maqedonas do të ngrihet me eskavatorë e me makineri të rënda ndërtuese mbi themelet e gjurmëve arkeologjike. Natyrisht, këto mihje e kjo rrëmujë bëhej për t’u ngritur një tymnajë e një mjegull e madhe, të cilat, sapo të binin përdhe, në sfond do të nxirrnin qartë e pastër një profil të ri të identitetit kombëtar maqedonas.

Dhe, kjo pamje do të duhej të fliste për një kontinuitet historik, sociologjik, kulturor, filozofik, liridashës e patriotik të maqedonasve si etni që shtrihet që nga antika e deri më sot. Ky është populli autokton, ky është populli që i dha botës mbarë civilizim e kulturë, filozofi e art, trimëri e shtetbërje! Në këtë film janë edhe sot e kësaj ditë. Po shpenzohen buxhete të hatashme për këtë vetëmashtrim shekullor dhe, të gjithë të tjerët, që janë jashtë skenës së këtij filmi, nuk llogariten madje as si statistë, por, si gjë e kotë.

Politikanët maqedonas e kanë kuptuar fort mirë se të qenit me identitet të fortë kombëtar nënkupton angazhim dhe investime vetëmohuese në ngritjen dhe çelikosjen e identitetit kulturor. Ky angazhim paralelisht krijon edhe përshtypjen se në shtetin e Maqedonisë ekziston vetëm një kulturë, rrjedhimisht vetëm një komb, rrjedhimisht vetëm një shtet komb (maqedonas, shqiptarë maqedonas, myslimanë maqedonas etj.).

A mund të ngritet një identitet i ri kombëtar mbi një identitet të ri kulturor i sajuar nga vjedhja e së kaluarës së huaj, nga e tashmja e përbashkët dhe nga e ardhshmja së të gjithëve? Teorikisht po, por edhe praktikisht po nëse nuk pengohet nga askush. Përpjekjet e këtilla, sado që mund të duken naive, qesharake e madje edhe idiotike, ato megjithatë mund të perceptohen edhe si atraktive. Atraktiviteti çdo herë gjen përkrahje dhe duartrokitje.

Kush mund të vërtetojë sot se fustanella popullore maqedonase është në fakt veshje origjinale dhe autentike shqiptare. Si t’i rikthejmë trojet, heronjtë dhe traditat shqiptare tashmë të vjedhur dhe të përvetësuar nga tradita, gjeografia dhe historia maqedonase?

Politika maqedonase hëpërhë është në një ofensivë tepër agresive, ndërsa politika shqiptare në Maqedoni është në djep, si një bebe e parehatshme e cila mezi pret të lirohet nga mnelat e mbushura dhe t’ia fusë gjumit me sisë në gojë.

Të përgjumurve çdo herë iu ik treni i kohës. Koha nuk pret askënd.